Sport

Majlinda ka punë për të kthyer dominimin në “kategorinë e saj”

Në Osaka të Japonisë është mbajtur gara e fundit e madhe e xhudos. Prej së premtes deri të dielën është zhvilluar turneu Grand Slam në këtë qytet të shtetit që jeton me xhudon.

Xhudistët japonezë natyrisht ishin dominues. Dolën kampionë në gjashtë prej shtatë kategorive te xhudistët dhe në pesë prej shtatë kategorive te xhudistet. Në përgjithësi Japonia kishte 11 medalje të arta në Osaka, tetë të argjendta e 16 të bronzta. Kishte edhe pesë vende të pesta e një vend të shtatë. Ndërkohë vendet e tjera kishin më së shumti nga një medalje të artë, si Kanadaja, Holanda e Kuba. Kosova nuk mori pjesë në këtë garë, shkruan Koha Ditore.

Suksesi në Osaka, por edhe në shumë gara të tjera vlerësohet si dëshmi për përkushtimin e japonezëve për të shtrirë dominimin në xhudo, sidomos në prag të Lojërave Olimpike që mbahen në Tokio më 2020.

Në disa kategori dominimi aktual i japonezëve është më i ndjeshëm. Për shembull në kategorinë deri 52 kilogramë xhudistet japoneze i zunë tri vendet e para. Uta Abe doli kampione, Natsumi Tsunoda ishte e dyta, kurse Ai Shishime dhe francezja Amandine Buchard zunë vende të treta. Kampione olimpike në kategorinë deri 52 kilogramë është Majlinda Kelmendi, që është edhe garuesja prej së cilës pritet më së shumti që të prishë planet e Japonisë për kategorinë në fjalë./Arsim Maxhera

(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)