Sport

Llapi mposht Flamurtarin, Liria “fundos” KEK-un e Ballkani “shkatërron” Gjilanin

Descriptive Text

Llapi e ka mposhtur Flamurtarin në shtëpi, në kuadër të javës së 16 të Superligës së Kosovës në futboll.

Një gol i Behar Maliqit, në minutën e ’84 të ndeshjes i ka dhënë fitoren e vlefshme llapjanëve. Kësisoj Llapi me 32 pikë ndjek Feronikelin që ka 35 pikë në vendin e dytë, dhe Prishtinën që përkundër barazimit në Ferizaj, mban vendin e parë me 37 pikë.

Edhe Liria ka mposhtur KEK-un në shtëpi, me rezultat 3 me 0, në ndeshjen e ekipeve të zonës së rrezikut të tabelës. Me këtë humbje KEK-u fundoset edhe më duke mbetur me vetëm një pikë të tubuar, derisa Liria e Prizrenit në pozitën e 10 ka 19 pikë, po aq sa ka edhe Trepça ’89 një pozitë më lartë.

Për Lirinë shënuan Robert Gjergjaj në minutën e ’20, Blendi Memaj në minutën e ’27 dhe Fatih Karahoda në minutën e ’66 të ndeshjes.

Në Suharekë, Ballkani ka shkatërruar Gjilanin me rezultat 4 me 1. Pjesa e parë ka përfunduar me rezultat 1 me 1. Serinë e golave e ka hapur E. Gashi, që shënoi në portën e gabuar, autogol që i dha epërsinë Gjilanit. Kjo ka qenë krejt çka ka bërë Gjilani, meqë në pjesën e dytë Ballkani shënoi edhe tri herë të tjera, në minutat ’48, ’78 dhe ’87.