Sport

Portugalia po bind edhe pa Ronaldon

Ndonëse pa superyllin Cristiano Ronaldo, Portugalia ka arritur të bindë në fazën e grupeve të Ligës së Kombeve, ndërsa të shtunën mbrëma është bërë përfaqësuesja e parë që ka siguruar kalimin në gjysmëfinale të kësaj gare.

Ronaldo 33-vjeçar nuk është grumbulluar me përfaqësuese pas Botërorit “Rusia 2018”. Në mungesë të Ronaldos, Portugalia ishte pritur të ketë telashe në një grup me Italinë e Poloninë, transmeton “Koha Ditore”. Mirëpo, kampionia në fuqi e Evropës ka siguruar kualifikimin një ndeshje pa përfunduar faza e grupeve.

Ka mbledhur shtatë pikë pas tri ndeshjeve, ndërsa më nuk mund të arrihet. Në xhiron e fundit, të martën, e pret Poloninë. Portugalia të shtunën mbrëma luajti pa gola në udhëtim me Italinë dhe siguroi kualifikimin tutje.

Portugalia madje po pritet të ketë një avantazh edhe në fazën e plejofit, pasi pritet të organizojë atë në qershor. Portugalia, Italia e Polonia ishin tri vendet e vetme që kishin shprehur interesim për organizimin e turneut final të Ligës A. Vendimi pritet të ratifikohet nga UEFA më 3 dhjetor. Plejofi është për të përcaktuar kampionin e Ligës së Kombeve.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)