Sport

Mavraj: Kërkoj falje, por mos vini në diskutim dashurinë për fanellën

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj ka kërkuar publikisht falje për kartonin e kuq që mori mbrëmë ndaj Skocisë, megjithatë ka kërkuar që të mos vihet në dyshim dashuria dhe respekti që ai ka për fanellën e kombëtares shqiptare.

Mavraj mbrëmë u ndëshkua me karton të kuq për një veprim josportiv kur po luhej minuta e 22, transmeton Koha.net. Derisa Shqipëria pësoi humbje të thellë prej 0-4, duke rrezikuar kështu rënien nga Liga C në kuadër të Ligës së Kombeve.

“E ndiej të kërkoj publikisht falje për atë moment dobësie. Të gjithë gabojmë dhe këtë herë më ndodhi mua. Për Kombëtaren kam luajtur dhe i dëmtuar madje në situata edhe shumë më të vështira, ndaj ajo që kërkoj është të më kritikoni, sigurisht, por jo të vini në diskutim respektin dhe dashurinë për këtë fanellë e këto ngjyra”, ka shkruar Mavraj në Facebook.

Ai shpreh bindjen e tij se gjërat mund të kthehen për së mbari të kombëtarja shqiptare, por vetëm nëse të gjithë janë të bashkuar.

“Shohim përpara, me bindje se Shqipëria do të kthejë kapitull. Të gjithë bashkë mund t’ia dalim përsëri, por nëse jemi të ndarë atëherë mund të na mposhtë kushdo”, ka shkruar ai.