Sport

GSW, Houstoni e Cavaliers fitojnë në NBA

Jonas Jerebko regjistroi dyshifror të dyfishtë prej 14 pikësh e 13-të kërcimesh në vend të të suspenduarit Draymond Green, dhe i ndihmoi kampionit Golden State Warriors të marrë fitore ndaj vizitorëve të Atlanta Hawks 110:103.

Green u suspendua për shkak të sjelljeve jo të mira që i pati me Kevin Durantin pas humbjes në vazhdime nga Los Angeles Clippers. “Luftëtarët” në këtë ballafaqim luajtën edhe pak Stephen Curryn, që mungoi në ndeshjen e tij të tretë rresht për shkak të lëndimit.

Hawks udhëhiqte me gjashtë pikë në pjesën e parë dhe 58:53 në fillim të periudhës së tretë, para se Jerebko, Klay Thompson dhe Quinn Cook të hynin në seri 17:2, me saktësi të madhe sidomos nga vija për tri pikë.

Duranti ishte lider i vendësve me 29 pikë, Thompsoni pati 24, kurse Cook që ishte titullar në vend të Curryt, shtoi 18 sosh.

Houstoni ka arritur tjetër fitore, kësaj radhe në udhëtim te Denver Nuggets, duke triumfuar me shifrat 109:99.

James Harden i shënoi 19 nga 22 pikët në total në pjesën e dytë, derisa pati edhe 11 asistime për ta kompletuar dyshifrorin e dyfishtë.

Ndihmë të madhe në fitore te “Raktetat” dha edhe Clint Capela me 24 pikë e nëntë kërcime, me skuadrën e tij që i fiton dy ndeshje rresht.

Te Nuggets që e pësoi humbjen e katërt të njëpasnjëshme dhe të tetën rresht nga Houstoni, më i dalluari ishte Monte Morris me 19 pikë.

113:89 ishte rezultati përfundimtar i fitores së nënkampionit Clevelandit, në shtëpi ndaj vizitorëve të Charlotte Hornets.

Jordan Clarksoni shënoi 24 pikë nga banka rezervë, ndërsa Tristan Thompson shtoi 21 kërcime.

Në fitoren e dytë të sezonit të “Kalorësve”, rezervisti David Nwaba ndihmoi me 18 pikë, kurse Hornetsit nuk i ndihmuan as 22 pikët e Jeremy Lambit, ndërsa Kemba Walkeri u ndal në vetëm shtatë pikë, me saktësi 2 nga 16 tentime.