Këto janë fjalët e para të Muriqit në fanellën e Kosovës Foto: Driton Paqarada

Këto janë fjalët e para të Muriqit në fanellën e Kosovës

14 nëntor 2018 09:12

Portieri i ri i Kosovës, Arijanet Muriq, u stërvit për herë të parë të martën me përfaqësuesen e Kosovës.

Në “Fadil Vokrri”, portieri i gjatë dy metra, ushtroi me Kosovën edhe pse akoma s’ka marrë lejen nga FIFA për të kaluar nga Mali i Zi në ekipin e Kosovës. Portieri i Manchester Cityt ishte pjesë e ekipit U21 të Malit të Zi, por për Kosovën pritet të jetë gati për dy “finalet” e Grupit 3 në Ligën D të Ligës së Kombeve, në ndeshjet ndaj Maltës të shtunën dhe të martën ndaj Azerbajxhanit.

Edhe pse atij nuk iu lejua të fliste për mediat të martën, Koha Ditore ka arritur të marrë një deklaratë të shkurtër të tij përmes një mesazhi.

“Jam mirë dhe po ndihem shumë mirë”, tha Muriq për gazetën.

Portieri 20-vjeçar në gusht të këtij viti pranoi të luajë për Kosovën. Familjarë të tij patën arsyetuar vendimin për t'iu bashkuar Kosovës në mungesë të interesimit të përfaqësueses "A" të Malit të Zi. E nga Kosova nuk mungoi interesimi për lojtarin që u raportua se ka lidhje familjare me vendin.

Muriq tashmë ka debutuar në ekipin që udhëhiqet nga trajneri Pep Guardiola, Manchester City. Ka luajtur dy ndeshje të Kupës së Ligës. Ai te Manchester City është zhvilluar si portier dhe aktualisht është portier i dytë. Në ekipin e parë të Cityt është kthyer gjatë verës pas huazimit të shkurtër te NAC Breda. Ishte kërkesë e Guardiolas pas lëndimit që pësoi në përgatitje për këtë edicion portieri i dytë i Cityt, Claudio Bravo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme