Sport

India rrezikon të mos organizojë më ngjarje të mëdha sportive për shkak të Kosovës

India rrezikon të humbasë mundësinë që të organizojë ngjarjet e mëdha sportive ndërkombëtare në të ardhmen, nëse boksierja e vetme nga Kosova, Donjeta Sadiku, nuk do të lejohet të boksojë në Kampionatin Botëror për Femra, frikësohet Shoqata Olimpike Indiane (IOA).

Kampionati do të fillojë këtë te enjte, 15 nëntor, por pasiguria vazhdon të jetë e madhe për pjesëmarrjen e Sadikut në ngjarjen e AIBA-s pasi që qeveria indiane ende nuk i ka dhënë vizën boksieres dhe dy trajnerëve të saj, shkruan news18, transmeton Koha.net.

India ende nuk e ka njohur Kosovën, por pasi edhe Sadiku ka pasaportën e Shqipërisë, Federata e Boksit e Indisë (BFI) shpresonte të gjente një zgjidhje për këtë çështje. India ka lidhje diplomatike me Shqipërinë.

“IOC (Komiteti Ndërkombëtar Olimpik) në të kaluarën ka dërguar letra te Federatat Ndërkombëtare për Spanjën që të mos mbajë ngjarjet e mëdha pasi ajo karateistëve nga Kosova nuk u ka lejuar që të marrin pjesë me flamurin e tyre në Kampionatin Botëror të Karatesë. Dhe kurrë nuk i dihet, të njëjtën mund ta bëjë edhe India”, ka thënë për PTI një zyrtar i IOA-s i cili nuk ka dashur t’i zbulohet emri.

“Për Komitetin Ndërkombëtar Olimpik (IOC), sporti dhe politika janë dy anët e medaljes. IOC nuk përzien sportin me politikën dhe pret që vendet anëtare të ndjekin të njëjtat udhëzime”, shtoi ai.

IOA zyrtarisht ka thënë se Kosova gjithashtu ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike të 2016-ën në Rio pavarësisht faktit se Brazili po ashtu nuk e njeh këtë shtet.

Ajay Singh, presidenti i BFI-së, ka thënë se janë duke diskutuar këtë çështje të ndjeshme me qeverinë indiane.

“Ne ende jemi duke biseduar me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Është një çështje e ndjeshme, nuk dua ta komentoj më shumë. Jemi duke u marrë me këtë çështje”, ka thënë Singh. “Është një çështje më e madhe e ministrisë dhe nuk është vetëm çështje e Indisë. Është çështje globale dhe ka nevojë për një dialog nga të gjitha anët për të gjetur një zgjidhje për këtë problem. Nuk ka të bëjë vetëm me boksin, është një çështje më e madhe. Jemi duke biseduar me qeverinë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi Singh, përcjell Koha.net.

Gjithashtu, Singh thotë se edhe IOC-ja duhet të ndërmjetësojë këtë çështje.

“Kjo është një çështje e shumë vendeve që nuk e njohin Kosovën. Kështu që ne duhet të gjejmë një zgjidhje mes IOC-së dhe të gjitha këtyre vendeve sepse kjo përfshinë shumë vende nga perëndimore dhe vendet e Azisë Juglindore”, është shprehur Singh.

“Nga perspektiva jonë, ne duam të ndjekim udhëzimet e IOC-së. Por, në fund të fundit, vendimi për dhënien apo jo të vizave është me të vërtetë një çështje sovrane”, përfundoi Singh.