Sport

Mediat britanike vlerësojnë lartë paraqitjen e Shaqirit ndaj Fulhamit

Descriptive Text

Mediat britanike janë mahnitur me lojën e Xherdan Shaqirit të Liverpoolit në fitoren 2-0 kundër Fulhamit.

Shaqiri shënoi golin e dytë në këtë fitore, ndërsa mediat e kanë vlerësuar si lojtar të domosdoshëm për “Të Kuqtë” e Jurgen Kloppit.

Liverpool po i rikthehet fitoreve. Mohamed Salah i vuri të kuqtë përpara, duke finalizuar një kundërsulm shkatërrues pak sekonda pasi Fulhami mendoi se ishin në përparësi, pas golit me kokë të Mitroviçit, që u shpall jashtë-loje.

Një goditje fantastike nga Shaqiri, menjëherë pas pushimit, garantoi fitoren dhe bëri që ekipi i Klopit ta mbajë fitoren të sigurt për pjesën e mbetur të ndeshjes, me përpjekje minimale.

Liverpuli ishte larg të qenit në formë të mirë, por bënë mjaftueshëm sa për të marrë tri pikët, të cilat i japin të kuqve rikthimin më të mirë, pas 12 ndeshjeve në sezonin e Premier Ligës, transmeton TCH.

David Lynch nga Evening Standards e lavdëroi Shaqirin për faktin që dha rezultat aty ku lojtarë të tjerë kyç kishin hasur vështirësi. Ai mendon se Shaqiri është tashmë sulmuesi më i besueshëm i Liverpoolit: “Kur i jepet mundësia për të nisur lojën për Liverpulin, Shaqiri jep gjithnjë rezultat. Me Sadio Manen dhe Roberto Firmion ende në formë jo të shkëlqyer, është thelbësore që Klopp të gjejë edhe një tjetër sulmues që të ketë të njëjtin nivel.

James Pearce, nga Liverpool Echo shpjegon se pse Shaqiri është një talent i veçantë, dhe vlerësoi se ai sjell vlera që përbëjnë një ndryshim të madh: “Shaqiri është talent i rrallë. Ai është i fortë si shkëmb, por ka dhe finesë balerine. Ai i furnizon të kuqtë me atë shkëndijën kreative që ata thjesht nuk e kanë kur ai mungon”, ka thënë ai.

Darren Uells i “The Mirror” thotë se Liverpooli është ekip shumë më i mirë kur luan Shaqiri.

Neil Jones nga Goal mendon se Shaqiri është bërë i domosdoshëm tashmë, dhe se mungesa e tij në Beograd ishte gabim i madh: “Ekipi mori një vendim diplomatik kur e la në shtëpi, për shkak të tensioneve të mundshme me tifozët e Beogradit. Është një gabim që nuk duhet bërë më.”

Duke menduar ende për humbjen kundër Yllit të Kuq, Karl Matchett thotë se në Serbi duhej të ishte përdorur i njëjti formacion si kundër Fulhamit: “Ky duhej të kishte qenë formacioni në Serbi. Edhe po të mos luante Shaqiri, një ndërrim i vetëm dhe një mesfushë më funksionale do të kishte qenë zgjedhje më e zgjuar.

Jones diskuton kthimin e Klopp te formacioni 4-2-3-1, dhe ndien se të kuqtë po shfaqin shenjat pozitive në formë. “Ky formacion nuk është i përkryer, por me Salah që ka realizuar 24 gola në 22 takime, dhe me Shaqirin në formë kaq të mirë, ky është formacioni me të cilin duhej të kishin këmbëngulur”, thotë ai.

Machett thotë se 11-shja e parë që zgjodhi Kloppi është më e forta e Liverpoolit, por nuk ishte i sigurt se sa mirë po performonin: “Ata mund të jenë 11-shja më e fortë e mundshme e Liverpoolit, por a është gjë pozitive që u zgjodhën dhe e kryen punën? Apo është më shumë shqetësim që prapëseprapë, rezultati që dhanë ishte plot mundim”.

Chris Bascombe nga “Telegraph” e sheh Liverpoolin si një ekip me mbrojtje shumë të mirë, ndërkohë që Lynch mendon se gjetja e ekuilibrit të duhur në mesfushë vazhdon të mbetet problematik, gjë që Klopp duhet ta zgjidhë sa më shpejt, sipas tij.

Dominic King nga “Mail” tha se goli i Salah ishte si një rikthim në sezonin e fundit, ndërsa Jones thotë se përmirësimi i Salah vjen edhe prej Shaqirit. Ai vë në dukje që egjiptiani duket më i kënaqur kur në lojë është edhe shqiptari i kombëtares së Zvicrës.