Sport

City i pamposhtur, pret “Djajtë e Kuq” në formë

Descriptive Text

Lideri i Premier Leagues, Manchester City, do të përballet kundër rivalit të qytetit Manchester United. Pritet të jetë duel fantastik edhe në taktikë të lojës, pasi përballë do të jenë edhe Pep Guardiola me Jose Mourinhon.

176 ndeshje janë zhvilluar mes këtyre skuadrave, 73 janë të fituara nga United, 51 nga City, derisa 52 herë janë ndarë baras, transmeton KTV.

“Qytetarët” ende nuk kanë disfatë në ligë këtë sezon. Humbja e fundit ishte ajo 2:1 në Ligën e Kampionëve nga Lyoni. Citizens mund ta fitonte titullin e kampionit edhe më herët sezonin e kaluar, por humbi 3:2, kur Chris Smalling i shënoi atyre golin e fitores në minutat e fundit. Në më të rejat e ekipit e kemi lëndimin e Kevin De Bruyne në gju, lëndim i cili do ta lë atë jashtë këtij derbi. Ilkay Gundogan është rikthyer në aksion në mesjavë dhe mesfushori gjerman mund ta nisë ndeshjen nga banka rezervë.

Unitedi, nga ana tjetër, e fitoi me përmbysje takimin përballë Juventusit në Ligën e Kampionëve 2:1, triumf ky që mund t’i japë shtytje edhe më të madhe për vikend. “Djajtë e Kuq” krizën e vetme mund ta ketë në fazën e sulmit. Romelu Lukaku mungoi në udhëtimin në Torino për shkak të lëndimit në muskul dhe ka gjasa të mungojë edhe në fundjavë. Ndërkohë, zëvendësuesi i tij Alexis Sanchez u zëvendësua në mesjavë, për shkak të një goditjeje që e mori në muskul. Mundësi për të luajtur mund të ketë Marcus Rashford.

Do të ishte hera e dytë që nëse Unitedi fiton do t’i marrë pikët e plota në “Etihad Stadium” në dy ndeshje rresht. Një gjë e tillë ndodhi në fund të sezonit 2009 dhe në sezonin pasues.

City i ka fituar vetëm dy nga tetë ndeshjet kundër Unitedit në të gjitha garat, derisa ka edhe dy barazime e katër humbje, që kur regjistronte katër fitore rresht në mes viteve 2013 e 2014.

Megjithatë, në tri vizitat e fundit në impiantin e Cityt, “Djajtë e Kuq” nuk dinë për humbje, me 2 fitore e 1 barazim. Dy përballje prej tyre e mbajtën portën e paprekur.

Sergio Aguero është në topformë, sidomos në shtëpi ku ka shënuar 17 gola dhe ka asistuar në pesë raste, në 13 ndeshje të Premier Leagues.

Sivjet, Unitedi po kalon formë të dobët, duke e mbajtur portën e paprekur në vetëm një duel dhe në proces ka pësuar 18 gola në 11 ndeshje.

Për Mourinhon do të jetë ndeshja e 300-të në Premier League si trajner, me 189 fitore, 67 barazime e 43 disfata.

Ndeshja ndërmjet Cityt e Unitedit e mbyll edhe xhiron e 12-të dhe zhvillohet në ora 17:30. Në po të njëjtën ditë, në orën 13:00, luan edhe Liverpooli kundër Fulhamit, Chelsea kundër Evertonit, në ora 15:15, ndërsa Arsenali luan në 17:30, kundër Wolverhamptonit.