Milani i vendosur t’ia shkaktojë Juventusit humbjen e parë në ligë Foto: Reuters

Milani i vendosur t’ia shkaktojë Juventusit humbjen e parë në ligë

09 nëntor 2018 21:16

Milani është i vendosur t’ia prishë Juventusit serinë e ndeshjeve pa humbje sivjet në Serinë A italiane, kur takohen në “San Siro”, të dielën në ora 20:30.

“Bianconerët” kanë arkëtuar 31 pikë nga 33 në total, në edicionin e sivjetmë në Itali dhe i kanë fituar 10 ndeshje nga 11 të fundit, përballë “Rossonerëve” në ligë, transmeton KTV.

Nga të rejat në ekip, Milanit do t’i mungojnë Giacomo Bonaventura, Mattia Caldara dhe Lucas Biglia, kurse Gonzalo Higuain shpreson që ta kalojë lëndimin në shpinë dhe të jetë i gatshëm ndaj ish-skuadrës.

Juventusit pritet t’i kthehet në formacion Federico Bernardeschi, i cili vuante nga një lëndim në thembër, kurse në dyshim mbetet ende Douglas Costa.

Edhe pse në vitet e fundit Milani nuk ka qenë kundërshtar i denjë për Juven, “Rossonerët” këtë edicion kanë më shumë vetëbesim për të marrë rezultat pozitiv, pasi që në 15-të ndeshjet e fundit në Serie A, janë mposhtur vetëm një herë.

Golin e ka gjetur në 14 nga 15 ballafaqimet e kaluara, por edhe ka pësuar shumë, dhe vetëm në një ndeshje në këtë periudhë e ka mbajtur portën e paprekur,

“Zonja e Vjetër” në “San Siro” ka shënuar 99 gola në garat kampionale dhe mbetet të shihet se a do të shënohet emri i ndokujt si i 100-ti, në impiantin gjigant.

83 herë janë ballafaquar Milan e Juventus në Serie A. 28 fitore i ka Milani, 22 Juventusi, ndërsa janë ndarë baras 33 herë. Vendësit kanë realizuar 114 gola.

Napoli do të luajë të shtunën në ora 20:30, si mysafir i Genoas, Interi të dielën me Atalantan e hapin ditën në ora 12:30, kurse Roma ballafaqohet me Sampdorian në orën 15:00.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme