Gashi, talenti kosovar që po “piqet” në Gjermani

Gashi, talenti kosovar që po “piqet” në Gjermani

09 nëntor 2018 20:07

Luan në pozitën e mesfushorit, por Art Gashi po e ndihmon me gola e asistime ekipin e tij, TSG Balingen (U-19) që të mbajë pozitën e parë në tabelë në kategorinë e tretë të juniorëve.

Gashi 17-vjeçar, para fillimit të këtij edicioni ka kaluar te TSG Balingen dhe deri më tani ka shënuar tri gola dhe ka dy asistime në nëntë paraqitje.

Gashi po beson se nëse vazhdon me këtë formë, atëherë do ta ndihmojë TSD Balingenin që edicionin e ardhshëm të promovohet në kategorinë e dytë të juniorëve. Ai këtij ekipi iu bashkua para fillimit të këtij edicioni nga TSG Young Boys Reutlingen me ndihmën e një menaxheri që kishte parë nga afër paraqitjet e tij.

“Jemi lider pa asnjë humbje dhe pritet që edicionin tjetër të shkojmë një kategori më lart. Jam optimist se do t'ia dalim mbanë”, ka thënë Gashi për Koha.net. “Përkundër vështirësive në fillim me gjuhën, ia dola të adaptohem dhe po shpresoj të vazhdoj të zhvillohem edhe më shumë si lojtar, pasi synimi im është që në të ardhmen të jem pjesë e ndonjë ekipi të madh”.

Ai ka përvojë për t'i ndihmuar ekipet që të ngjiten në ligë, pasi para tre vjetësh ndihmoi të rinjtë e TV Bempflingen ku luajti për dy edicione. Gashi në vitin 2015 migroi me familjen në Gjermani nga Prishtina, ndonëse në Kosovë është vlerësuar si talent i madh.

Ai me futboll ka filluar të merret prej moshës pesëvjeçare dhe ishte pjesë e shkollës së futbollit "Kurda" nga Prishtina ku luajti me plot sukses nëpër të gjitha gjeneratat deri para tri vjetësh kur u largua nga Kosova. Gashi që po zhvillohet si futbollist tashmë ka tërhequr interesimin e disa skautëve që po e përcjellin nga ndeshja në ndeshje.

Paraqitjet e tij të mira në ekipin e tij, Gashi shpreson që t'i shpërblehen me ftesë nga gjeneratat e reja të Përfaqësueses së Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme