Sport

Juventusi kërkon fitoren për të dalë kampion i grupit

Juventusi kërkon rezultat pozitiv të mërkurën mbrëma në shtëpi ndaj Manchester Unitedit, me të cilin do të siguronte kalimin në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve.

Kampioni i Italisë kryeson Grupin H me nëntë pikë pas tri ndeshjeve, pesë më tepër se Manchester Unitedi që zë vendin e dytë.

Me fitore në Torino të mërkurën, skuadra italiane do të siguronte kualifikimin si fituese e grupit. Ndërkohë me barazim do të siguronte vetëm kualifikimin, jo edhe vendin e parë.

Juventusi e mposhti Manchester Unitedin me shifrat 1:0 në udhëtim, xhiron e kaluar.

"Në këtë moment gjërat po shkojnë mirë, por nuk fitohen trofetë në këtë fazë. Ne të mërkurën mund të arrijmë objektivin e parë, të fitojmë grupin apo thjesht të kualifikohemi. Dhe më pas kemi dy ndeshje të tjera me të cilat mund të sigurojmë pozitën e parë nëse nuk e sigurojmë të mërkurën. Gjëja më me rëndësi është të arrijmë në mars në formën më të mirë të mundshme, dhe mbi të gjitha të jemi aktiv në të gjitha frontet. Kjo përfshin edhe Superkupën e Italisë, që do ta luajmë kundër Milanit më 16 janar", ka deklaruar trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, të martën.

Blaise Matuidi e Mario Manxhukiq janë përfshirë në skuadrën e Juventusit, me gjithë problemet që kanë pasur me lëndime.

Ndërkohë Federico Bernardeschi, Douglas Costa, Moise Kean dhe Emre Can nuk do të jenë të mërkurën. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).