Sport

EJU sjell momentet e secilës fitore të Akilit në triumfin e Evropianit

Xhudisti Akil Gjakova sot ka qenë i papërmbajtshëm në Evropianin U23 që sot u mbajt në Gyor të Hungarisë.

Të gjitha përballjet ai i fitoi me Ippon, dhe momentet më të mira nga luftërat e tij i sjell EJU-ja përmes një video të veçantë duke çmuar jashtëzakonisht shumë suksesin e Gjakovës.

Përndryshe xhudisti 22 vjeçar kompleton setin e medaljeve në këtë garë, pasi më 2016 kishte rrëmbyer të bronztën, më 2017 të argjendtën, e sivjet mori të artën.

“Që fituesi i Grand Slamit të Parisit mori një medalje në Evropianin U23 nuk ishte befasi e madhe. Synimi i tij ishte të kompletonte setin e medaljeve dhe 22 vjeçari nga Kosova e bëri këtë me performanca të jashtëzakonshme. Kënaquni me momentet më të mira të Akil Gjakovës”, thuhet në postimin e EJU-së.

Për të shënuar këtë sukses Gjakova mposhti me Ippon pesë kundërshtarë. E nisi me serbin Filipoviq, më pas e mposhti Schipperin nga Holanda, Sullin nga Italia, në gjysmëfinale e mposhti rumunin Cercea, kurse në finale me një lëvizje të jashtëzakonshme gjunjëzoi xhudistin nga Azerbajxhani Mamadov.