Sport

Mahrezi ia dedikon Srivaddhanaprabhas golin ndaj Tottenhamit

Një gol i Riyad Mahrez i mjaftoi Manchester Cityt të triumfonte ndaj Tottenhamit me rezultat minimal 1-0, për të marrë lidershipin në Premier Ligë.

Mahrez këtë gol ia dedikoi pronarit tashmë të ndjerë të Leicester City, Vichai Srivaddhanaprabha, i cili humbi jetën pas aksidentit me helikopter të shtunën.

Algjeriani ka luajtur tek Leicesteri për katër vjet e gjysmë dhe është shpallur kampion i Anglisë me “Dhelprat”.

“Të jem i sinqertë ishte shumë, shumë e vështirë për mua”, ka thënë Mahrez. “Nuk është e lehtë, pasi ai ishte shumë i rëndësishëm për mua. Kam kaluar katër vjet e gjysmë tek Leicesteri dhe kam kujtime speciale me të. Ai ishte njeri shumë i mirë, humanist i vërtetë dhe vdekja e tij më trishton. Prandaj kur shënova golin, i ngrita duart lart për të. Ai ka bërë shumë për mua dhe për Leicesterin. E kam të vështirë të flas më shumë, pasi jam i pikëlluar”, ka thënë në fund Mahrez.