Shabani, “Schweinsteigeri i ri”

Shabani, “Schweinsteigeri i ri”

30 October 2018 09:55

Bayern Muencheni e ka gjetur pasardhësin e Bastian Schweistegerit, sipas tifozëve të gjigantit gjerman. Vlerësimin për Meritan Shabanin e kanë dhënë tifozët e Bayern Muenchenit në rrjetet sociale.

Komentet dhe lëvdatat e tifozëve të Bayern Muenchenit janë të shumta për talentin kosovar dhe ai u ngjan me lojën që bënte legjenda e këtij klubi, Bastian Schweisteger, shkruan sot Koha Ditore.

19-vjeçari që luan për ekipin U-20 të Gjermanisë, ka zhvilluar një ndeshje për ekipin e parë të Bayern Muenchenit këtë sezon.

Mesfushori qendror, po ashtu, është përfshirë në ekip te Bayerni për ndeshjen e së martës (sot), në kuadër të Kupës së Gjermanisë.

Bayern Muencheni do të luajë kundër Rodinghausenit. Trajneri Niko Kovaq të hënën në konferencën për media ka thënë se për ndeshjen kundër Rodinghausenit do t'ua japë mundësinë lojtarëve të rinj. Shabani pritet të luajë të martën nga fillimi.

“Është mundësi e mirë për lojtarët e rinj. Por gjithnjë duke ditur synimet që kemi në Kupë”, ka thënë Kovaq.

Shabani për ekipin e dytë të Bayern Muenchenit në 10 ndeshje të “Regionaliga Bayern” ka shënuar pesë gola dhe ka kontribuar me katër asistime.

Interesim për reprezentuesin U-20 të Gjermanisë ka shprehur Kosova dhe Shqipëria. Në Federatën e Futbollit të Kosovës kanë thënë se Shabani ka dhënë sinjale pozitive se mund ta përfaqësojë Kosovën.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme