Sport

Kampioni me shumë vështirësi fiton ndaj Indianas

Descriptive Text

Kampioni në fuqi i NBA-së, Cleveland Cavaliers me shumë vështirësi ka shënuar të shtunën fitore 109:108 në shtëpi ndaj Indiana Pacers në ndeshjen e parë të raundit të parë të plejofit në NBA.

LeBron James me 32 pikë, 13 asistime e gjashtë kërcime ishte më meritori për fitoren e Clevelandit. Për Jamesin ishte ndeshja e 200-të në plejof.

Në të vërtetë, Clevelandi ishte shumë pranë të pësonte humbje, por gjuajtja e CJ Miles në momentet e fundit nuk gjeti cakun, transmeton “Koha Ditrore”.

“Ai doli huq dhe ne fituam”, ka thënë James.

Mirëpo, gjërat nuk ishin aq të lehta. Clevelandi ndonëse kishte dhjetë pikë avantazh në çerekun e katërt, u desh t'i mbijetonte një rikthimi të fuqishëm të Indianas.

Dhjetë sekonda pa mbaruar ndeshja, Indiana Pacersat patën rivënie dhe u munduan të bënin aksionin e fundit nëpërmjet yllit Paul George. Mirëpo, James i doli në ndihmë JR Smithit për të dyfishuar Georgoen, i cili u detyrua të pasonte për Milesin. Miles gjuajti, por nuk doli i saktë. George vlerësoi se Miles është dashur t'i kthente topin.

“Unë kam folur me CJ për këtë. Në situata si ato, duhet të kem gjuajtjen e fundit. CJ e mori atë vetë. Por, në situata të tilla, më duhet topi”, ka thënë George.

Miles nuk ka nxjerrë arsyetime, por ka thënë se thjesht u desh të gjuante, pasi kishin mbetur vetëm edhe katër sekonda.

Kyrie Irving me 23 pikë dhe Kevin Love me 17 pikë ndihmuan fitoren e Clevelandit.

Te Indiana shënuesi më i mirë ishte Paul George me 29 pikë, ndërsa Lance Stephenson ndihmoi me 16 sosh.

Ndeshja e dytë luhet të hënën mbrëma (sot), po ashtu në Cleveland.