Sport

Te Prishtina të kënaqur me fitoren në Rumani

Trajneri i Z Mobile Prishtinës, Damir Mullaomeroviq është ndarë i kënaqur me triumfin e ekipit të tij, në ndeshjen në udhëtim kundër Steaua Bukureshtit.

Mullaomeroviq ka thënë se fitorja në Rumani ishte shumë e rëndësishme, pasi bën që Prishtina të jetë gjithnjë e më afër kualifikimit në fazën e dytë të grupeve në FIBA Europe Cup. Prishtina të mërkurën mbrëma shënoi fitore me rezultatin 87:81 ndaj Steauas. Për Prishtinën kjo ishte fitorja e dytë rresht në kuadër të Grupit E, të cilit i prinë së bashku me ekipin nga Danimarka, Bakken Bears.

"Për këtë fitore duhet përgëzuar lojtarët që nuk u dorëzuan për asnjë moment. Ishte një fitore e vështirë, por shumë e rëndësishme për ne. Pas rrugëtimit të gjatë dhe të vështirë, në fund ia dolëm që të mposhtim një ekip të mirë, falë lojës ekipore. Tash na presin edhe dy ndeshje të vështira si mysafirë, por mendoj se me këtë fitore kemi bërë një hap të madh drejt kualifikimit në fazën tjetër", ka deklaruar Mullaomeroviq për "Kohën Ditore".

Ndërkohë, basketbollisti i Prishtinës, Dardan Berisha ka shtuar se pavarësisht fitores së dytë rresht, ekipi duhet të qëndroj me këmbë në tokë dhe të vazhdoj me këtë ritëm deri në fund të fazës së parë të grupeve që përfundon në fund të muajit tjetër.

"Ishtë një fitore shumë e rëndësishme për neve, pasi arritëm të luajmë mirë me gjithë udhëtimin e mundimshëm që e patëm. Edhe pse kemi dy fitore, ende asgjë nuk ka përfunduar dhe tash duhet të fokusohemi në ndeshjen tjetër për të arritur synimin tonë, që është kalimi i grupit", ka thënë Berisha që ishte ndër më të dalluarit me 23 pikë të shënuara.

Ndeshjen e ardhshme, Prishtina e luan më 30 tetor në udhëtim kundër Bakken Bears, që konsiderohen edhe favorit të grupit. Prishtina këtë edicion po e kërkon kalimin në fazën e dytë të FIBA Europe Cup, gjë që nuk e ka arritur në tri edicionet paraprake. Dy ekipet e para të grupit, avancojnë tutje.