“Derby della Madonnina”, pas 109 vjetësh me pronarë jo-italianë

“Derby della Madonnina”, pas 109 vjetësh me pronarë jo-italianë

19 tetor 2018 22:49

Për herë të parë në historinë e vet 109 vjet të vjetër, derbi i Milanos që zhvillohet të dielën në ora 20:30, do t’i vërë përballë klubet, që si pronarë do t’i kenë kinezët dhe amerikanët, dhe jo italianët siç ndodhte më parë.

Përderisa Interi mbetet nën udhëheqjen e gjigantit kinez “Suning Holdings Group” që e bleu klubin në vitin 2016, fqinjët e tyre tani janë pronë e kompanisë amerikane “Elliott”, që e morën nga biznesmeni kinez, Yonghong Li në muajin korrik.

Edhe pse Interi është në vendin e tretë në tabelë, me tetë pikë prapa liderit Juventus, dhe Milani në vendin e 10-të, e diela në Itali do t’i ketë sytë nga kjo ndeshje që zhvillohet në “San Siro”.

Në shumicën e kryendeshjeve mes këtyre skuadrave në të kaluarën që kanë qenë në krizë të madhe, “Derby della Madonnina” numër 222, do t’i gjejë ekipet në formë të mirë.

Interi i drejtuar nga Luciano Spalletti i ka fituar gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, kurse Gennaro Gattuso me Milanin është i pamposhtur në tetë ndeshje, me humbjen e parë që vinte në fillim të sezonit kundër Interit.

Të kombinuar, futbollistët e Interit kanë vlerën prej 555 mln eurove sipas faqes “Transfermarkt”, ndërsa Milani mbetet prapa tyre me 486 mln euro.

Të dyja ekipet janë kthyer në garat ndërkombëtare, Interi në Ligën e Kampionëve pas gjashtë vitesh mungesë, kurse Milani sivjet luan në Ligën e Evropës.

Mattia Caldara që ka pasur probleme me lëndime në fillim të sezonit dhe Andrea Conti që ka munguar për afër një vit, kanë parë dritë në fund të tunelit, pasi që të dy janë thirrur nga Gattuso për ndeshjen e të dielës kundër Interit.

Në dyshim për t’u paraqitur në këtë ballafaqim te “Nerazzurrët” janë Brozoviq, D’Ambrosio dhe Vrsaljko, që të gjithë për shkak të lëndimeve.

Lideri Juventusi luan të shtunën në shtëpi ndaj Genoas në ora 18:00, kurse Napoli në po të njëjtën ditë në ora 20:30 i shkon Udineses së Valon Behramit.

Roma-SPAL e hap xhiron e nëntë në ora 15:00, kurse Lazio i shqiptarëve luan të dielën në ora 15:00 në udhëtim te Parma.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme