Sport

Feronikeli testin e radhës në Gjilan, Llapi me Shotanin udhëtojnë te ’89-shi

Trajneri i Feronikelit, Zekirija Ramadani, me Feronikelin ka gjashtë fitore të njëpasnjëshme, kurse lideri “Nikli” shtatë në total.

Në xhiron e 10-të, ekipi nga Drenasi nuk e zhvilloi ndeshjen ndaj Prishtinës, që u shty për datën 7 nëntor, ndërsa testi i radhës në xhiron e 11-të, do të jetë në udhëtim te skuadra e Gjilanit të Sadat Pajazitit, transmeton KTV.

Që kur trajneri Ramadani e mori drejtimin e Niklit në javën e katërt, skuadra është në superformë duke shënuar 18 gola në proces, ndërsa ka pësuar vetëm katër gola.

Një sukses i tillë nuk mund të thuhet për Gjilanin që në tri ndeshjet e fundit nuk di për fitore, me dy humbje e një barazim, me fitoren e fundit që vinte në xhiron e shtatë në derbin gjilanas kundër Dritës. Dueli mes Gjilanit e Feronikelit luhet të dielën.

Po të njëjtën ditë, zhvillohet edhe ballafaqim tjetër interesant ndërmjet Trepçës ’89 dhe vendit të dytë, Llapit, me ndryshime.

Llapjanët të premten e emëruan si trajner të ri Bekim Shotanin, dhe në këtë ndeshje, skuadra llapjane vjen pas fitores në xhiron e fundit ndaj Gjilanit, 3:1.

Mitrovicasit nga ana tjetër, në shtatë xhirot e fundit nuk e kanë asnjë humbje, kanë triumfuar tri herë e kanë barazuar në katër rastet tjera.

Të shtunën, Prishtina në shtëpi e pret KEK-un, kampionia në fuqi Drita do të udhëtojë në Ferizaj, Ballkani e pret Flamurtarin, ndërsa Drenica do të jetë nikoqire e Lirisë.

Të gjitha ndeshjet e fundjavës nisin në ora 14:45, përveç duelit mes Prishtinës e KEK-ut, që fillon në ora 15:00.