Sport

Morata dështon ta bindë Sarrin, Chelsea në kërkim të një sulmuesi

Descriptive Text

Chelsea pagoi 75 milionë euro te Reali i Madridit, për të marrë kartonin e sulmuesit Alvaro Morata verën e 2017-ës, por kur ka kaluar më tepër se një vit, duket se janë bindur që spanjolli nuk është ideali për të luajtur në Premier League.

Ai u kërkua me ngulm nga Antonio Conte, por pas disa javësh, humbi vendin në formacion, ndërsa e njëjta gjë ndodhi edhe këtë verë me Sarrin, që i besoi një fanellë titullar, por me kalimin e kohës, edhe ish-napolitani kuptoi se Morata nuk ishte sulmuesi i duhur.

Pikërisht për këtë arsye drejtuesit e klubit londinez kanë menduar të largojnë Moratën në afatin e janarit dhe të vihen në kërkim të një tjetër futbollisti, pasi as francezi Olivier Giroud nuk është se gëzon ndonjë raport të mirë me golin.

Sipas mediave angleze, ëndrra e Maurizio Sarrit është që të ketë në dispozicion kapitenin e Interit, Mauro Icardi, të cilin e kërkoi me ngulm edhe te Napoli, kur u largua argjentinasi tjetër, Gonzalo Higuain, transmeton SS.

Gjithsesi kjo është një nga ato lëvizje që nuk bëhet në afatin kalimtar të janarit, ndaj blutë e Londrës po mendojnë të rikthejnë në skuadër sulmuesin e huazuar te Valencia, Mitchy Batshuay, i cili njeh mirë skuadrën, por edhe kampionatin anglez.

Sa i përket Moratës, plani fillestar është huazimi në ndonjë skuadër italiane ose spanjolle, për të rivlerësuar kartonin e tij dhe për të përfituar sa më shumë nga shitja verën e ardhshme.