Sport

2 Korriku mposht Flamurtarin, rastet dhe intervistat

2 Korriku ka fituar derbin e kryeqytetit në ligën e parë duke mposhtur Flamurtarin me rezultat minimal, 1:0.

“Kuqezinjtë” janë ndalur pas 14 ndeshjeve pa humbje në Ligën e parë, ndërsa disfatën e fundit e kishin pasur pikërisht nga 2 Korrikut, në pjesën e parë të kampionatit.

Skuadra e trajnerit, Samuel Nikaj e nisi më mirë takimin duke rrezikuar qysh në minutën e 3-të.

Almir Ajzeraj përpak sa nuk e befasoi portierin nikoqir nga gjuajtja e lirë. Njëherësh ky ishte rasti i vetëm serioz në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë skuadrat u hapën më shumë duke kërkuar golin e epërsisë, raporton KTV.

Vendësit goditjen e parë në portë e patën në minutën e 57-të, kur shtylla ia mohoi golin Jetmir Topallit, kurse nga topi i kthyer nuk arriti të shënoi as Besim Gashi që gjuajti jashtë.

Në minutën e 70-të, 2 Korriku gjeti golin e epërsisë. Ishte përsëri Topalli që godet shtyllën dhe këtë herë, topin e kthyer e dërgoi në rrjetë vetë ai për 1:0.

4 minuta para fundit, Flamurtari lëshoi mundësinë për të shmangur humbjen me Hajzerajn që dështoi i vetëm përballë portierit Hyseni dhe mbeti 1:0 për 2 Korrikun që tash e 7 vite nuk pëson në shtëpi nga “kuqezinjtë”.

Me këtë fitore, 2 Korriku shton gjasat për inkuadrim në Superligë, kurse Flamurtari, pavarësisht disfatës, mbetet i pari në renditje. Në xhiron e radhës, 2 Korriku është mysafir i Vushtrrisë, ndërsa Flamurtari pret Vitinë.