Sport

Drejtori i KB Yllit paralajmëron tifozët pas dhunës në palestër

Skenat e dhunës në ndeshjen ndërmjet Yllit dhe Rahovecit, kanë shtyrë drejtuesit e klubit, të paralajmërojnë tifozët se mund të tërhiqen nga përkrahja e klubit.

Drejtori i përgjithshëm i klubit, Lendrit Palushi, që është njëri nga sponsorët kryesorë të skuadrës, për çka ekipi edhe ka marrë emrin Golden Eagle Ylli, ka thënë se në rast të përsëritjes të skenave të tilla, nuk do ta sponsorizojnë më klubin nga Suhareka, transmeton KTV.

“Sporti është kulturë dhe mision ka bashkimin e njerëzve. Prandaj shpreh shqetësimin tim dhe dënoj ashpër aktet e dhunës që ndodhën në ndeshjen e kaluar në palestrën “13 Qershori” në Therandë. Prandaj, shpresoj që në ditët në vazhdim të dy palët, si publiku ashtu edhe referët të reflektojnë në mënyrë që të përjetojmë kënaqësi basketbollistike dhe jo skena të tilla që dëmtojnë imazhin e lojës së bukur. Skenat e tilla na detyrojnë edhe ne,si kompani të rishikojmë pozitën tonë edhe një herë dhe në rast përsëritjeje, ne jemi të detyruar të tërhiqemi nga këto aktivitete që ndikojnë dhe dëmtojnë imazhin e kompanisë sonë”, ka shkruar Palushi në Facebook.

Për incidentin me Rahovecin, Ylli është gjobitur nga federata, derisa edhe vitin e kaluar tifozët e Yllit, “Xhebrailat” ishin dënuar për thirrje raciste në drejtim të skuadrës së Rahovecit.