Prishtina beson se ka forcë për të kaluar grupin Foto: Ilustrim

Prishtina beson se ka forcë për të kaluar grupin

12 tetor 2018 08:24

Skuadra më e madhe kosovare në basketboll, Z Mobile Prishtina, ka mësuar kundërshtarët që do të ketë në Grupin E të FIBA Europe Cup, grup që sipas trajnerit Damir Mullaomeroviq është i kalueshëm.

I fundit që i është bashkuar grupit është ekipi ukrainas Cherkaski Mavpy, ndërkohë aty janë edhe Steaua Bukuresht (Rumani) dhe Bakken Bears (Danimarkë), shkruan sot Koha Ditore.

Mullaomeroviq të enjten për gazetën ka thënë se bëhet fjalë për kundërshtarë të fortë, por synimi i klubit mbetet kalimi i kësaj faze, të cilën Prishtina nuk e ka bërë prej se është pjesë e kësaj gare. Për Prishtinën ky është edicioni i katërt në FIBA Europe Cup. Skuadra bardhekaltër do të hapë edicionin 2018/19 në FIBA Europe Cup më 16 tetor, kur e pret Cherkaski Mavpyn (19:00).

"Bëhet fjalë për një grup të fortë, kemi të bëjmë me ekipe cilësore. Nuk do të jetë lehtë, por kemi gjasat tona për të avancuar tutje nga kjo fazë", thotë Mullaomeroviq, i cili të shtunën e shkuar nisi stërvitjet me Prishtinën pas largimit të gjermanit Matthias Zollner.

"Edhe pse do të kem pak kohë për të punuar me ekipin deri te ndeshja e parë në FIBA Europe Cup, mund të them se kemi ekip të mirë dhe të gjithë basketbollistët po angazhohen maksimalisht. Besoj se jemi të gatshëm për këtë garë në të cilën synimet i kemi të qarta".(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme