Sport

Kosova kërkon të vazhdojë shkëlqimin në “Fadil Vokrri”

Për shumë pozita në fushë, seleksionuesi i Kosovës, Bernard Challandes, i ka zgjidhur dilemat. E ka të qartë se me cilët lojtarë do të startojë të enjten (sot, 20:45) në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë kundër Maltës, në kuadër të xhiros së tretë të Ligës së Kombeve - Liga D, Grupi 3.

Por ka disa dilema të vogla, si për lojtarin që duhet të angazhojë në krahun e djathtë të sulmit, ku konkurrojnë Milot Rashica, Edon Zhegrova dhe i sapoftuari Lirim Kastrati. Ky i fundit që po shkëlqen në kampionatin kroat, sipas burimeve të gazetës, mbetet favorit për të startuar, shkruan sot Koha Ditore.

Po ashtu, dilemë e Challandesit është se kë duhet të angazhojë në pozitën e mesfushorit qendror, ku favorit është i sapokthyeri në ekip, Valon Berisha. Në mungesë të tij, këtë pozitë e kanë mbuluar Donis Avdijaj, Bersant Celina dhe Besar Halimi.

Pavarësisht se për kë do të përcaktohet zvicerani, fitorja ndaj Maltës është synimi i madh. Me këtë do të vazhdohej seria e mirë e rezultateve dhe do të mbahej kreu i Grupit 3, ku Kosova ka mbledhur katër pikë nga dy ndeshjet e para.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).