Sport

Bashkimi favorit përballë Trepçës në krizë të thellë

Para përballjes së kaluar ndërmjet Trepçës e Bashkimit të luajtur në "Minatori" në mes të dhjetorit, Bashkimi ishte përballur me telashe, shkruan sot Koha Ditore.

Dy lojtarët prej më të rëndësishmëve të kësaj skuadre kishin refuzuar të luanin. Kjo kishte bërë që Trepça të fitonte bindshëm, me shifrat 81:48. Bashkimi vazhdon të përballet me telashe financiare, njëjtë si të gjitha skuadrat e basketbollit në vend. Por në telashe shumë herë më të thella aktualisht është Trepça, që në dhjetor e kishte një lloj stabiliteti. Lojtarët e Trepçës ka kohë që nuk janë paguar, njëjtë si trajnerët.

Përballja e re e Trepçës me Bashkimin në "Minatori" do të jetë të shtunën (sot) nga ora 19:00, në kuadër të javës së 26-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Ka mundësi që dallimi në cilësi të jetë i madh në mes skuadrave, në të mirë të Bashkimit.

Ndonëse në Mitrovicë vazhdojnë të qëndrojnë pesë basketbollistët e huaj të Trepçës, ka gjasa që asnjëri prej tyre të mos luajë në "derbin" ndaj Bashkimit. Katër prej tyre ka javë që bojkotojnë ndeshjet për shkak të borxheve që klubi ka ndaj tyre.

Ata po stërvitin, por nuk po luajnë. Ndërkohë stërvitjet nuk është duke i drejtuar kryetrajneri grek i Trepçës, Dimitris Papadopoulos. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.