Sport

Bashkimi e nis me humbje, Krajnoviq thotë se ekipit i duhet kohë

Descriptive Text

Trajneri i Bashkimit, Krunoslav Krajnoviq ka thënë se ekipit të tij i nevojitet edhe pak kohë për t'u komponuar dhe kompletuar për edicionin 2018/19 në Superligën e Kosovës në basketboll.

Bashkimi që edicionin e shkuar e fitoi titullin e kampionit, të dielën ka startuar me humbje në edicionin e ri. Prizrenasit në xhiron e parë pësuan humbje në Prizren nga skuadra e Golden Eagle Yllit me rezultatin 86:84.

Në të vërtetë, kjo është humbja e dytë për Bashkimin këtë edicion, pasi vikendin e shkuar u mposht nga Z Mobile Prishtina në kuadër të Superkupës.

Krajnoviq pas ndeshjes për Koha.net ka deklaruar se tifozët e Bashkimit duhet të kenë edhe pak durim. Sipas tij, ekipi shumë shpejt do të kompletohet edhe me dy lojtarë në pozitat e qendrës. Krajnoviq beson se brenda një kohe të shkurtër, Bashkimi do të luaj lojën që ai kërkon.

Ai pranon se nuk ka pritur humbje nga Ylli.

"Jo vetëm në këtë ndeshje, por në asnjë ndeshje nuk dua të humbasin. Por, ky është çmimi që po e paguajmë për fillimin e përgatitjeve me vonesë. Poashtu, kemi një ekip të ri dhe nevojitet pak kohë për t'u komponuar. Gjithashtu, nuk jemi kompletuar ende dhe po punojmë në këtë aspekt", është shprehur Krajnoviq. "Ndaj Yllit patëm një paraqitje të mirë dhe arritëm të zvogëlojmë disavantazhin në dy pikë. Duhet të kemi durim edhe pak".

Bashkimi edicionin e shkuar, krahas titullit arriti në finale të Ligës Ballkanike (BIBL) dhe Kupës së Kosovës.

Aktualisht, te ekipi nga Prizreni janë vetëm dy të huaj.