Sport

Komuna e Prishtinës mbështet financiarisht katër sportistë gjatë ciklit olimpik

Descriptive Text

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, kanë takuar të mërkurën në zyrën e tij kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe drejtorin për Sport në këtë komunë, Fitim Rexha.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se ata bashkëbiseduan për çështje të ndryshme të avancimit të sportit dhe sportistëve të kryeqytetit.

Hasani kërkoi nga i pari i Prishtinës, rritjen e përkrahjes për klubet sportive në Prishtinë, dhe në lidhje me këtë kërkoi bashkëpunim me komunën për të organizuar një takim me të gjitha klubet dhe bizneset e kryeqytetit, të cilat do të njoftoheshin me benefitet që sjell Ligji për Sponsorizim në Sport, për çka komuna mbeti ta gjejë një datë të përshtatshme.

“Komuna e Prishtinës u pajtua të bëhet bashkëpjesëmarrëse për të ndihmuar sportistët Olimpikë të Prishtinës, me ç’rast për katër sportistët: Alvin Karaqi e Orges Arifi (karate) dhe Dasar Xhambazi e Flaka Pruthi (not), komuna do të ndajë nga 100 euro për çdo muaj, gjatë ciklit olimpik 2017-2020”, thuhet në komunikatë.

Panairi për Sport 2018 që organizohet në kuadër të Javës Evropiane të Sportit, ishte një temë tjetër për të cilën u bashkëbisedua, për çka Ahmeti shprehu gatishmërinë që edhe komuna që udhëheq ai të jetë bashkëorganizatore. Panairi i Sportit mbahet më 27 shtator në shumicën e komunave në Kosovë.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke përmendur buxhetin e limituar për sport, tha se kanë kërkuar mbështetje më të madhe nga Ministria e Financave, në mënyrë që nga viti e ardhshëm të rrisin mbështetjen për klubet sportive në Prishtinë.

Ahmeti kërkoi nga drejtuesit e KOK-ut ndihmë në të ardhmen në lidhje me kontestet e ndryshme që kanë me klubet dhe sportistët në Prishtinë, për çka u arrit pajtueshmëri edhe në këtë drejtim.