Sport

Ejupi thotë se Josa nuk largohet nga Prishtina

Descriptive Text

Kryetari i klubit të futbollit Prishtina, Remzi Ejupi, ka thënë se trajneri Mirel Josa ka kontratë trevjeçare me skuadrën kryeqytetase dhe nuk do të largohet “për qefin e askujt”.

Pas raportimeve të shumta se Prishtina ka zgjedhur trajnerin e ri dhe se Josa është pranë shkarkimit, Ejupi ka thënë se ky nuk është klub lagjesh që të ndërrojë trajnerë shpesh.

“Nuk e njoh dhe as që jam takuar me personin në fjalë që paskan aluduar portalet, Gentian Mezanin. Në fakt, tash pse unë njoh shumë njerëz të sportit dhe jam i rrethuar me ta nuk ka asnjë domethënie. Takohem me shumë kë me të cilët kam miqësi, por edhe me të tjerë që mund të jenë afër tyre dhe kjo nuk do të thotë asgjë. Ne kemi kryetrajner, ai është Mirel Josa me të cilin kemi kontratë trevjeçare. Prishtina nuk është klub lagjesh që t’i ndërroj trajnerët çdo tre-katër javë apo për qefin e dikujt. Me Josen kemi projekt. Josa nuk ka ardhur të dëshmohet në Prishtinë. Ai është dëshmuar shumë më herët para nesh. Ai ka dëshmuar me sukseset në Shqipëri e sidomos me paraqitjet në Evropë. Ai ka ardhur që krejt atë bagazh të përvojës së tij të sjellë tek ne”, ka thënë Ejupi.

Ejupi u është përgjigjur edhe tifozëve “Plisat” që kërkuan rezultatet të mira, pas formës së dobët në sezonin e ri.

Ai ka thënë se “Plisat” duhet të kenë durim sepse gjithçka do të vijë në vendin e vet.