Sport

Ferrari hap dyert për djalin e Schumacherit

Kreu i Ferrarit, Maurizio Arrivabene, ka thënë se dyert e kësaj skuderie të Formula 1 do të jenë gjithmonë të hapura për djalin e Michael Schumacherit, Mick, nëse vendos që të shkojë hapave të babait për të qenë pjesë e kësaj bote të garave.

Babai i Mickut 19-vjeçar, Michaeli, ka fituar pesë prej shtatë titujve të tij në Formula 1 me bolidin e Ferrarit. Schumacher e ka shëndrruar Ferrarin në skuderinë me të suksesshme në këtë sport, mirëpo janë gati dy dekada pa titull në konkurrencë të konstruktorëve.

Mick Schumacher aktualisht është i dyti në renditjen e përgjithshme të Formula Three dhe po përcillet me vëmendje të madhe nga disa prej skuderive të Formula 1. Micku i ka fituar gjashtë prej dhjetë garave të tij të fundit, transmeton Koha Ditore.

"Gjëja më e rëndësishme për Mickun është që të zhvillohet edhe më tej si pilot dhe të mos ketë presion. Rezultatet e tij të fundit janë fantastike dhe besoj se ai do të ketë një karrierë të ndritur. Nëse vendos që të futet në Formula 1, ai gjithmonë do ta ketë derën e hapur për të qenë pjesë e Ferrarit. Ne duam që ai të vazhdoj të shkruaj historinë, siç ka bërë babai i tij", ka thënë Arrivabene.

"Ne nuk mund të injorojmë një emër të tillë. Megjithatë, nuk duam që Mick të ketë presion, ndonëse rezultatet e tij kanë bërë që ai të përcillet nga shumë skuderi të F1".

Mick Schumacher prej aksidentit të Michaelit në vitin 2013 po përkrahet në F3 nga Mercedesi. Ai edicionin e ardhshëm pritet të transferohet në F2, por deri në fund të këtij edicioni Mick mund të tubojë pikë që do t'i mundësojë të pajiset me licencën për të garuar në F1.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).