Sport

Llapi – Flamurtari, kryendeshja e xhiros së pestë në elitën e futbollit kosovar

Xhiroja e pestë e Superligës së Kosovës në futboll do të dhurojë ndeshje mjaft interesante në letër, ndërsa veçohet ajo ndërmjet Llapit të vendit të dytë dhe liderit, Flamurtarit.

Tri fitore e një humbje është bilanci i llapjanëve, pas katër xhirosh në elitën e futbollit tonë, ndërsa i vetmi ekip me pikët e plota në këtë fillim sezoni është Flamurtari i Arsim Thaqit, transmeton KTV. 

Në xhiron e kaluar, Llapi si mysafir e mposhti kampionen në fuqi Dritën, gjë që rezultoi te gjilanasit me largimin e trajnerit Bekim Isufi nga ky post.

Nga ana tjetër, Flamurtari arriti ta mposhtë Lirinë 3:1, me sulmuesin në formë Alban Shillova, që prin edhe në listën e golashënuesve me pesë sosh. Llapi pas katër xhirosh, mbetet skuadra me shënimin më të madh të golave, 10 në total, derisa ka pranuar tri të tjerë.

Kjo ndeshje do të zhvillohet të dielën, që poashtu në planprogram atë ditë janë për t’u zhvilluar edhe përballjet Liria - Keku dhe Trepça ’89 – Drenica.

Kampionia Drita, do ta ketë një tjetër test të vështirë në fundjavë, pasi të shtunën do të udhëtojë në Drenas te Feronikeli.

Drita pati nisje të mirë të sezonit ndaj KEK-ut, por më pas u mposht nga Flamurtari, Liria dhe Llapi, e në këtë ndeshje, gjilanasit do t’i drejtojë Afrim Shahini e Shefket Sermaxhaj. Nga ana tjetër, Nikli e nisi mirë me trajnerin e ri, Zekirija Ramadani, pasi xhiron e kaluar fitoi ndaj Ferizajt, dhe ka tetë pikë pas katër xhirosh, dy fitore e dy barazime.

Prishtina që ishte nënkampione sezonin e shkuar, sivjet ka 2 fitore e 1 barazim dhe një ndeshje më pak të zhvilluar, atë të xhiros së parë kundër Gjilanit, e që është vendosur të luhet në mesjavën e ardhshme.

Kësaj radhe, “Bardhekaltrit” e kryeqytetit nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa, do të kenë punë në shtëpi kundër Ferizajt të Afrim Tovërlanit, që pozicionohet në vendin e parafundit me vetëm një fitore e tri humbje.

Veç këtyre dy ndeshjeve, të shtunën do të luhet edhe Gjilani – Ballkani.

Të gjitha ndeshjet do të nisin në orën 15:45, ndërsa Prishtina – Ferizaj luhet në orën 19:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.