Sport

Rakitiq thotë se s’ka menduar largimin nga Barça, synon të qëndrojë gjatë

Mesfushori kroat është shumë i lumtur që do të luajë edhe më tutje me Barcelonën.

Ivan Rakitiq ka pasur një verë të jashtëzakonshme, sidomos me kombëtaren e tij, Kroacinë, ku arriti deri në finalen e Kampionatit Botëror.

Ai gjithashtu ishte në radarin e Paris Saint-Germainit që e kërkoi me ngulm gjatë tërë afatit kalimtar.

Në një intervistë mesfushori i Barcelonës ka nënvizuar se ndihet shumë i lumtur te blaugranat dhe dëshira e tij ishte të qëndronte te Barça, transmeton kp. 

PSG ishte gati të shpenzonte shifra të çmendura për të bërë të mundur kalimin e kroatit në Parc des Princes, por Rakitiq me bindje të plotë zgjodhi qëndrimin në Camp Nou.

“Nuk kam pasur asnjëherë dyshime. Ishin ditë në të cilat mendova disi dhe dola në përfundimin se jam një futbollist me fat”, ka thënë fillimisht ai. “Jam në klubin më të mirë në botë dhe të luash për Barçën është gjëja më e bukur që mund të të ndodhë në jetë. Shpresoj të qëndroj këtu edhe për shumë vite të tjera. Kam kontratë deri në vitin 2021 por shpresoj të rinovoj për një kohë akoma më të gjatë”.