Sport

Peja e përjashtuar gjen strehim te skuadra e femrave

Drejtues të klubit të basketbollit Peja, i përjashtuar nga garat për shkak të borxheve "deri në fyt", janë duke shqyrtuar mundësi të ndryshme për të mbetur pjesë e garave, por njëkohësisht edhe për të ruajtur emrin dhe traditën e krijuar për 25 vjet.

Por një gjë e tillë është e vështirë, pranojnë në klubin pejan, shkruan sot Koha Ditore.

Skuadra është përjashtuar për një vit nga garat me vendim të Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), për shkak të borxheve që ka ndaj ish-lojtarëve, FIBA-s dhe vetë FBK-së.

Ankesa e Pejës është refuzuar nga Bordi i FBK-së, por zyrtari i Pejës, Art Gashi, thotë se kjo çështje shpejt do të shkojë në gjykatë.

Por deri atëherë në klub po shikojnë të rehatojnë anëtarët e mbetur, si lojtarët e rinj, trajnerët dhe stafin. Për këtë, klubi i basketbollit nga Peja, Penza, që deri më tash është paraqitur vetëm me ekipe të femrave dhe kjo fuqishëm, ka paraqitur për pjesëmarrje në ligat e ulëta edhe ekipin e meshkujve. Ky ekip pritet të plotësohet me lojtarët e Pejës të paktën deri në kalim të suspendimit.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).