Sport

Hendbolli mbetet pa profesorin Mehdi Jashari

Një prej kontribuuesve më të mëdhenj të lojës së hendbollit në Kosovë, Mehdi Jashari, është varrosur të mërkurën pasdite në varrezat e qytetit në Prishtinë.

Profesori Jashari, që për kohë të gjatë ka dhënë kontribut të madh për hendbollin në vend, ndërroi jetë të mërkurën në mëngjes në moshën 74-vjeçare.

Jashari i lindur në Ferizaj është cilësuar lart për kontributin e dhënë në hendboll, transmeton Koha Ditore.

Për vdekjen e Jasharit, Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK), Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) të mërkurën kanë postuar në uebfaqet e tyre telegrame ngushëllimi.

"Federata e Hendbollit e Kosovës dhe komuniteti i hendbollit kanë mbetur pa një personalitet të madh. FHK-ja shpreh ngushëllime të thella dhe më të sinqerta për familjen Jashari", thuhet në telegramin e ngushëllimit të FHK-së.

Në telegramin ngushëllues të KOK-ut thuhet se sporti i Kosovës, në veçanti hendbolli, ka humbur një person që ka dhënë kontribut të madh, ndërkohë FFK-ja e ka cilësuar si shumë meritor në pavarësimin e sportit të Kosovës.

Jashari kishte nisur të luante hendboll në moshën 15-vjeçare, në klubin me famë të Ferizajt, Borci. Gjatë shkollimit në Prishtinë luajti si hendbollist për Obiliqin e më pas u kthye te Borci ku luajti edhe për dhjetë vjet të tjerë. Ka luajtur edhe në Bosnjë gjatë studimeve.

Aktiv dhe i suksesshëm ishte edhe pas tërheqjes nga loja aktive.

Për dy vjet punoi si trajner i Borcit dhe tetë vjet të tjerë i klubit të hendbollit Prishtina (meshkujt) në Ligën Federative.

Si përzgjedhës i Kosovës punoi prej vitit 1982 deri në vitin 1988. Ka udhëhequr reprezentacionin e të rinjve. Kontributi i Jasharit ka vazhduar edhe në vitet ‘90. Ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Komisionit të Garave të FHK-së, kurse nga viti 2001 deri në vitin 2006 ka qenë udhëheqës i kampeve të ndryshme në shumë qytete në Kosovë.

I ndjeri Jashari ka kaluar dekada si profesor universitar dhe kontributi i tij ishte i madh për shkollimin edhe të njerëzve të hendbollit. Doktoroi në Tiranë në vitin 1993 në lëmin e hendbollit. Ka punuar gjatë në Fakultetin e Kulturës Fizike në Prishtinë, ndërsa ishte edhe dekan i tij. Pas pensionimit kontribuoi si ligjërues edhe në AAB.