Sport

Kosova, Bac u kry!

10 shtator 2018. Ora 20:45. Parajsë! Fadil Vokrri, Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari kanë veshur një shall kuqezi dhe janë ulur përpara ekranit. Mijëra kilometra larg, Slobodan Miloseviq dhe Zheljko Razhnatoviq, i vetëquajturi Arkan, qëndrojnë në heshtje. Ata këtë ndeshje e panë në ferr.

Vokrri është ende në lot. Thonë që Zoti më të mirët i do me vete, por për të nuk ishte koha për të ikur. Kosova e tij ndërtoi një skuadër futbolli të denjë, ai ndërtoi një stadium, skuadrat e 21 dhe 19-vjeçarëve morën rezultate fantastike, kampionia e vendit kaloi një turn në Champions. Çfarë do dëshironte më shumë një president federate? Në fund Miloseviq dhe Arkan do kumbisnin sërish. Vokrri, Rugova dhe Adem Jashari,do shpërthenin në festë. Kosova fitoi ndeshjen e parë zyrtare ndërkombëtare. Një tjetër pavarësi, shkruan Gjergji Stefa në editorialin për SuperSport.

Në Prishtinë mund të ishin sa të donin. Ishin 13 mijë sepse aq mban stadiumi me emrin e heroit të futbollit. Ishte nata perfekte. Provat gjenerale kishin mbaruar,3 miqësore të fituara, dhe një barazim 0-0 në Baku. Momenti kishte ardhur. Arbër Zeneli autori i golit të parë ka lindur në Suedi në 1995-ën, djalë i një familjeje në emigracion prej luftës, ndërsa Atdhe Nuhiu, autori i golit të dytë ka lindur 6 vite më parë në Prishtinë. Lufta sapo kish nisur dhe familja e tij u detyrua të largohej.

Futbolli është i jashtëzakonshëm.Ai është sinonim i qartë i faktit. Një ditë do ketë luftë por askush nuk do marrë pjesë!Të gjithë ata që ishin në tribunën e stadiumit të Prishtinës diçka kanë humbur nga ajo luftë.E duan Shqipërinë sa zemra ua di,por Kosova është sot për sot objektivi i tyre. Futbolli e sfidoi sërish poltikën.Fitoi!

Trajner i ri, emra të rinj, stadium i ri, 5 ndeshje, asnjë gol i pësuar,kandidatë kryesorë për të shkuar në Europian nëpërmjet Ligës së Kombeve. Një skuadër e re që luan një futboll tërheqës dhe po merr vëmendjen e gjithë kontinentit. Kjo është Kosova. E ardhme sigurt, e shkuar e vuajtur, e tashme e suksesshme. Vokrri në mesnatën e së hënës trokiti gotat me Rugovën e Jasharin dhe u tha: E bëra dhe unë Kosovën time,njësoj si ju. Njësoj si ata, iku pa e shijuar. Zoti i do më të mirët pranë vetes!