Sport

Serena Williams gjobitet me 17 mijë dollarë

Serena Williams është gjobitur me 17 mijë dollarë për shkak të thyerjes së rregullave në finalen e US Open kundër japonezes Naomi Osaka.

CNN raporton se gjyqtari i US Open Brian Earley ka gjobitur me 4 mijë dollarë për shkelje të rregullave kundër trajnerit rival, e me 3 mijë dollarë të tjerë për abuzimin me reketin e saj, dhe 10 mijë dollarë për abuzim verbal, transmeton Koha.net.

Naomi Osaka u bë japonezja e parë që shpallet kampione në një Grand Slam, pasi e mposhti mes polemikash tenisten amerikane, Serena Williams 2:0 në sete, 6:2 dhe 6:4, në finalen e US Open.

Amerikania Williams fillimisht u dënua pasi u thye një rregull nga trajneri i saj.

Me Osakan që e kontrolloi meçin në setin e parë, gjyqtari portugez Carlos Ramos e qortoi Williamsin dhe i dha 23-herë kampiones në Grand Slame dënim në gemin e dytë të setit të dytë, pasi trajneri duke iu drejtuar trajnerit të Williamsit, Patrick Mouratoglu, i cili kishte bërë shenja me dorë.

“Nëse ai e ngre gishtin lart, ai më thotë që unë të vazhdoj tutje. Nuk kemi ndonjë kod dhe e di se ju nuk e dini këtë, dhe e kuptoj se ju mund të mendoni se unë po marr instruksione, por jo, nuk gënjej që të fitojë, më parë do të humbja, vetëm po ju bëj me dije”, i tha Williams gjyqtarit pasi iu afrua afër, transmeton KTV.

Tjetër dënim për Williamsin ishte pikë me poenë, pasi e përplasi reketin e saj në tokë, dhe në 5:3 iu dha avantazhi kundërshtares së saj për shkak se Serena e sulmoi verbalisht gjyqtarin Ramos, duke e akuzuar atë se është gënjeshtar dhe hajn, pasi sipas saj, i kishte vjedhur pikë.

“Më keni borxh kërkim faljeje, nuk kam vjedhur asnjëherë në jetën time. Kam një vajzë dhe e di se çfarë është e drejtë për të, por unë asnjëherë nuk kam gënjyer dhe ju më keni borxh kërkim faljeje. Ju kurrë, kurrë nuk do të jeni më në të njëjtën fushë ku jam unë deri sa ti do të jesh gjallë. Ti je gënjeshtar. Dhe ju më vodhët një pikë mua”, vazhdoi Serena e inatosur.

Ky avantazh i dha 20-vjeçares Osaka mundësinë të jetë më e qetë dhe të arrijë fitore historike.

Më vonë, Mouratoglou e pranoi se ai mundohej që t’i jepte Williamsit instruksione me sinjale të dorës nga vendi ku ishte i ulur, por e akuzoi edhe trajnerin e Osakas, Sascha Bajin, për të njëjtën gjë.

Duke qëndruar në podium teksa e priste trofeun dhe çekun prej 3.8 milionë dollarëve, Osaka dëgjonte vetëm vërshëllima nga tifozët që e nxirrnin jashtë frustrimin me gjyqtarin Ramos.

“E di se të gjithë këtu bënin tifo për Serenan dhe më vjen keq që përfundoi kështu. Dua vetëm t’ju falënderoj të gjithëve që na keni shikuar. Ka qenë ndjenjë e mirë të luaj me Serenan në finalet e US Open, dhe jam shumë mirënjohëse dhe e lumtur që e pata rastin të luaj kundër teje”, tha në fund japonezja Osaka, kurse deklarata e Williamsit kishte të bënte që Osaka të mos vërshëllehej.

Kjo finale e humbur bëri që Williams të mos e barazojë rekordin e 24 Grand Slameve të fituara.