Juventus nis mbrojtjen e titullit ndaj Chievos, vëmendja te Ronaldo

Juventus nis mbrojtjen e titullit ndaj Chievos, vëmendja te Ronaldo

17 August 2018 19:49

Edicioni i ri i Serie A, do të nisë me ndryshime të mëdha nga sezoni i shkuar, me skuadrat që kanë bërë përforcime bombastike, gjatë afatit kalimtar të verës.

E gjithë vëmendja pritet të jetë në ndeshjen ndërmjet Chievos dhe Juventusit, ku pritet të debutojë pesë herë fituesi i Topit të Artë, Cristiano Ronaldo, që u transferua gjatë verës nga Real Madridi, transmeton KTV.

Ardhja e yllit portugez në Serie A, ka ngjallur interesim të madh te shikuesit në Itali, ku edhe çmimet e biletës për këtë ndeshje janë rritur shumë, në krahasim me edicionet e kaluara.

Përveç ndikimit të madh te tifozët, Ronaldo, ka pasur ndikim edhe në rrjetet sociale te “Zonja e Vjetër”.

Që nga transferimi i 33-vjeçarit te Juve, këta të fundit kanë përfituar 6 milionë ndjekës në rrjetet sociale.

Përveç Ronaldos, në këtë ndeshje mund të debutoi edhe Emre Can, i transferuar nga Liverpooli.

Kampioni i Serisë A, në dy ndeshjet e fundit ndaj Chievos, ka dy fitore dhe nuk ka pësuar gol në pesë takimet e fundit, duke u llogaritur favorit edhe në këtë përballje.

Ndeshja kryesore e javës së parë në Serie A, do të jetë ndërmjet Lazios dhe Napolit të shtunën nga ora 20:45.

Te Lazio, mund të debutojnë dy futbollistët shqiptarë, Valon Berisha dhe Riza Durmishi, që u transferuan gjatë kësaj vere nga kryeqytetasit.

Te Napoli do të debutojë trajneri Carlo Ancelotti, që synon tri pikët në këtë përballje.

Në dy përballjet e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave Napoli ka dy fitore në Serie A.

Roma e përforcuar në udhëtim pritet të ketë punë të vështirë te Torino të dielën ndërsa Interi, do të kërkojë ta nisë me fitore sezonin, ndaj Sassuolos.

Për shkak të tragjedisë së ndodhur në Genoa, dy ndeshje janë anuluar ajo ndërmjet Milanit e Genoas dhe Sampdorias e Fiorentinas.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme