Sport

Kush është Damir Mulaomeroviq, përzgjedhësi i ri i Kosovës

Descriptive Text

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në mbledhjen e ditës së hënë e ka emëruar përzgjedhës të Përfaqësueses së Kosovës, Damir Mulaomeroviqin, ish-basketbollistin e Kombëtares së Kroacisë dhe shumë skuadrave me renome evropiane.

Si trajner, Mulaomeroviq e ka filluar punën me të përfunduar karrierën si basketbollist, duke udhëhequr skuadra si Sloboda Tuzla (2013-2015), pastaj ka vazhduar te Cibona (2015-2017), derisa më 2016 ka qenë edhe përzgjedhës i Bosnje e Hercegovinës.

Mulaomeroviq do të nis punën me Përfaqësuesen e Kosovës që nga data 29 gusht, kur edhe do të fillojë përgatitjet për ndeshjen kundër Maqedonisë që do të zhvillohet në Prishtinë më 13 shtator në kuadër të FIBA Eurobasket 2021 Pre-Qualifiers.

Ndërkohë biografia është kjo më poshtë:

Damir Mulaomeroviq:

I lindur më 19 shtator 1974 (43 vjeç) në Tuzla të Bosnje e Hercegovinës.

Prej vitit 1990 deri më 2012 ka qenë lojtar aktiv (ka luajtur në pozitat 1 dhe 2).

Prej vitit 2013 e ka filluar karrierën e re në basketboll, si Trajner.

Ka luajtur për Sloboda Dita, Cibona, Fortitudo Bologna, Efes Pilsen, Panathinakos, Snaidero Udine, PAOK Thessaloniki, Panellinios, Olympiacos, Zagreb CO.

Si lojtar e ka fituar titullin e kampionit në EuroLeague në vitin 2002, është zgjedhur si pjesë e FIBA EuroStar në vitin 1997, e ka fituar Superkupën e Italisë më 1998, është shpallur koshashënuesi më i mirë në elitën greke më 2006, tri herë është zgjedhur në All Star të Greqisë prej 2004-2006, e ka fituar Kupën e Turqisë më 2001, 5 herë është shpallur kampioni i Kroacisë prej 1995 deri më 1998 dhe më 2011, pesë herë e ka fituar Kupën e Kroacisë, 1995, 1996, dhe 2009-2011, si dhe më 1194 e ka fituar Kupën e Bosnjës.

Mulaomeroviq ka luajtur për Kombëtaren e Kroacisë, ku më 1996 ka marr pjesë në Lojërat Olimpike, pastaj në Eurobasket 1997, Eurobasket 1999, Eurobasket 2001 dhe Eurobasket 2003.

Ndërkaq si trajner karrierën e ka filluar te Sloboda Tuzla (2013-2015), pastaj ka vazhduar te Cibona (2015-2017), derisa më 2016 ka qenë përzgjedhës i Bosnje e Hercegovinës.