Sport

Themelimi i klubit “Çikat e shahut” solli kampionatin e hapur të këtij sporti

Në një hapësirë të veçantë të kryeqytetit, janë mbledhur entuziastë shahu, pa dallim moshe.

Për të shënuar themelimin e klubit “Çikat e Shahut” në Termokiss, është organizuar një kampionat shahu që nisi mesditën e së shtunës, raporton KTV.

Shehrije Gërbeshi, themeluese e klubit, e cila më herët kishte themeluar edhe klubin e parë të shahut për femra në Kosovë, tha se ideja është që të klubi të vazhdojë si shkollë shahu, i hapur për të gjitha moshat e gjinitë.
Gërbeshi thekson se deri tani, nuk kanë mundur të organizojnë një aktivitet të tillë, në mungesë të financimit dhe hapësirës, derisa falënderon UNDP-në dhe Termokiss-in për mbështetjen.

Ky klub do të vazhdojë punën si shkollë e shahut, ku do të trajnohen të interesuarit për këtë sport. Aktivitetet e këtij klubi do të përfshijnë ligjërata të përjavshme, trajnime e gara. Për këtë punë, organizatorja ka angazhuar edhe trajner.

Nga të gjithë pjesëmarrësit e kampionatit, ajo që spikatej më së shumti ishte një lojtare 12-vjeçare që shahun e përshkroi si “sport që të zhvillon mendjen”.

Organizatorët ftojnë të gjithë të interesuarit që t’i bashkëngjiten klubit çdo të shtunë, nga ora 10:00, në hapësirat e Termokiss-it.