Sport

Pesë pikat e rëndësishme në Premier League

Premier League do të kthehet "në aksion" të premten (sot) me ndeshjen ndërmjet Manchester Unitedit dhe Leicesterit, që hap edicionin 2018/19. Kampioni në fuqi, Manchester City, mbetet favorit për të mbrojtur titullin, e nëse ia del atëherë do të bëhet ekipi i parë pas një dekade me sukses të tillë, shkruan AFP. 

Shpresa të mëdha ka edhe skuadra e Liverpoolit, që mund t'i japë fund pritjes së gjatë për titullin e kampionit. Edicion kaotik pritet për Manchester Unitedin dhe Chelsean që mund të garojnë deri diku për titull, kurse optimizëm ka edhe tek Arsenali që do të fillojë një epokë të re, pa trajnerin Arsene Wenger. Londinezët do të udhëhiqen nga Unai Emery, përcjell Koha Ditore.

Më poshtë janë pesë pikat e rëndësishme që duhet përcjellë në edicionin e ri të kampionatit anglez.

Sindroma e edicionit të tretë për Mourinhon

Trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, është bërë figurë e frustruar para fillimit të edicionit, pasi vazhdimisht është ankuar për mungesën e përforcimeve. Tensioni mes portugezit dhe disa lojtarëve në ekip po shtohet gjithnjë e më shumë.

Mourinho ka kritikuar publikisht kapitenin Antonio Valencia dhe Anthony Martialin, kurse raportet e tij janë të ftohta edhe me mesfushorin Paul Pogba. Rritja e tensionit me hierakinë e klubit para fillimit të edicionit po kujton edicionet e treta katastrofike që i pati si trajner te Chelsea dhe Real Madridi. Pikërisht në edicionin e tretë Mourinho u shkarkua si te Chelsea ashtu edhe Real Madridi. Te Manchesteri, portugezi në dy edicionet e fundit nuk ka arritur të fitoj titullin e kampionit për çka edhe ka marrë drejtimin e ekipit.

Duke pasur parasysh parashikimet se për titullin e kampionit do të zhvillohet garë e ashpër mes Manchester Cityt e Liverpoolit, nuk është çudi që Mourinho të shkarkohet edhe nga ekipi i tretë në edicionin e tretë.

City ende pikë referimi

Kampioni i Anglisë, Manchester City, mbetet ekipi që duhet mposhtur edhe në edicionin e ri, pasi edicionin e fundit theu të gjitha rekordet. Ndryshe prej dy edicioneve të shkuara, këtë verë Pep Guardiola nuk ka bërë shpenzime të mëdha. Ai ka shtuar opsionet në repartin sulmues, duke transferuar për 70 milionë euro algjerianin Riyad Mahrez nga Leicesteri.

Ndonëse me vetëm një përforcim të madh, City ka ekip të kompletuar, pasi vitet e fundit ka transferuar disa prej talenteve më të mirë. Në edicionin e ri, Guardiola pret edhe më shumë nga lojtarët si Bernardo Silva e Gabriel Jesus. Ndërsa kthimi i Benjamin Mendyt nga dëmtimi i gjurit që e mbajti jashtë fushës për një kohë të gjatë, shihet si shumë i rëndësishëm.

A do t'i jepet Sarrit kohë

Drejtuesit e Chelseat rrezikuan shumë kur katër javë para fillimit të edicionit të ri shkarkuan trajnerin Antonio Conte për ta zëvendësuar me Maurizio Sarrin. Sarri në tri edicionet e fundit ishte te Napoli, duke e bërë ekipin me futbollin më atraktiv në Evropë. Megjithatë, Sarrit i duhet edhe shumë punë te Chelsea për të aplikuar idetë e tij.

Vikendin e shkuar nisi me humbje 2:0 nga Manchester City në kuadër të Superkupës. Mbetet të shihet nëse Sarri do të mundë të bëjë diçka më shumë në Premier League. Ai te londinezët ka angazhuar dy mesfushorë: Jorginhon e Mateo Kovaçiqin. Në portë ka marrë Kepa Arrizabalagan, i cili e zëvendësoi belgun Thobaut Courtois. Edhe në edicionin e ri, te londinezët lojtarët kryesor pritet të jenë Eden Hazard, Willian e N'Golo Kante.

Epokë e re për Arsenalin

Për dallim prej Maurizio Sarrit që ka kërkuar pak kohë të Chelsea për lojën e tij, tek Arsenali trajneri spanjoll Unai Emery është zotuar se qysh në edicionin e parë do të kërkoj titullin e kampionit. Emery në postin e trajnerit zëvendësoi francezin legjendar Arsene Wenger.

Transferimi i portierit Bernd Leno, mbrojtësve me përvojë Stephan Lichtsteiner e Sokratis Papastathopoulos dhe mesfushorit Lucas Torreira kanë ngritur optimizmin edhe te tifozët e klubit. Në edicionin e ri, për herë të parë do të jenë të bashkuar në repartin ofensiv: Pierre-Emerick Aubameyang, Alexandre Lacazette, Mesut Oezil e Henrikh Mkhitaryan.

Trajneri Emery beson fuqishëm se ekipi i tij mund t'i bëjë konkurrencë të madhe Manchester Cityt për titullin e kampionit. Në start, Arsenali do të mund të dëshmojë forcën që ka për edicionin e ri, pasi do të përballet me Cityn.

Nuk ka kufizime për klubet e reja

Ambicia për shumicën e skuadrave të sapopromovuara është thjesht të mbajnë statusin e anëtarit në Premier League, por lëvizjet që kanë bërë Wolverhampton e Fulham në tregun e transferimeve sugjerojnë se po synojnë që edicionin ta mbyllin në pjesën e epërme.

Wolvesi përsëri ka shfrytëzuar lidhjet e ngushta me super-agjentin Jorge Mendes, për të transferuar portugezët me përvojë si Rui Patricio e Joao Moutinho. Fulham mundi konkurrencën e fortë për mesfushorin e Nices, Jean-Michel Seri dhe gjithashtu shpenzoi shumë për shërbimet e sulmuesit të Newcastlet, Aleksandar Mitroviq, pastaj Alfie Mawson e Andre Schuerrle.