Sport

Milani e Juventusi arrijnë marrëveshje për shkëmbimin e lojtarëve

Tani nuk ka më asnjë dyshim dhe Milani e Juventusi sapo kanë mbyllur operacionin më të madh të afatit kalimtar mes tyre.

Gonzalo Higuain dhe Mattia Caldara do t’i bashkohen Milanit, ndërsa kapiteni i kuqezinjve, Leonardo Bonucci do të rikthehet edhe njëherë andej nga erdhi verën e kaluar, te Juventusi.

Marrëveshja mes Milanit, Juventusit dhe palëve të përfshira në këtë pazar, është konkretizuar pasditen e sotme, ndërsa pritet vetëm hedhja e firmave mbi kontrata, transmeton TCH.

Higuain do t’i bashkohet Milanit me formën e huazimit për 18 milionë euro dhe të drejtës së blerjes për 36 të tjera verën e ardhshme.

Nga ana tjetër, dy qendërmbrojtësit do të shkëmbehen kokë më kokë, teksa është rënë dakord që vlerësimi i tyre të jetë 40 milionë euro.