Sport

Laçi pëson humbje të thellë në Norvegji, kualifikimi i vështirë

Laçi është mposhtur me rezultatin e pastër 3-0 në udhëtim ndaj skuadrës së Moldes në takimin e parë të vlefshëm për raundin e dytë të Europa League.

Norvegjezët e Moldes ishin shumë të fortë për skuadrën shqiptare, që tashmë misioni kualifikim bëhet thuajse i pamundur për bardhezinjtë.

Debutim jo shumë pozitiv për veteranin kroat Marko Radas, i huazuar nga Skënderbeu te Laçi me mbrojtësin që u ndëshkua edhe me karton të verdhë. Nisi keq sfida për Laçin pasi që në minutën e 5-të Sefgjini shkaktoi 11-metërsh duke u ndëshkuar me karton të verdhë. Nga pika e bardhë talenti 18-vjeçar që kërkohet nga gjysma e Europës, Haland nuk fali duke i dhënë epërsinë Moldes.

Tentativa e Uzunit në të 19-ën ishte shumë pak me Laçin që pësoi edhe golin e dytë në minutën e 24 nga Hestad. Skuadra e drejtuar nga ish-sulmuesi i Manchester United, Solskjaer e administroi shumë mirë avantazhin duke krijuar edhe raste të tjera për shënim në pjesën e parë, ndërkohë që në minutat 32 dhe 34 Hoxhallari dhe Lushkja nuk shënjestruan siç duhet portën e vendasve, transmeton TCH.

Laçi nuk kishte forcë për të reaguar në pjesën e dytë dhe në minutën e 79-të nigeriani James i ardhur në fushë nga stoli vetëm 5 minuta më parë realizoi edhe golin e 3-të për Molden duke shuar edhe ato fare pak shpresa që mund të kishte Laçi për të tentuar kualifikimin. Tashmë skuadrës shqiptare do t’i nevojitet një mrekulli për të përsëritur suksesin që arriti ndaj Anorthosis në turin e parë.