Sport

Modriq zë vendin e Ronaldos si ylli kryesor në Madrid

Pas largimit të Cristiano Ronaldos nga Real Madridi, mesfushori kroat Luka Modriq ka zënë vendin si ylli kryesor i tifozëve madrilenë në prag të edicionit 2018/19. Gazeta spanjolle “AS” të dielën ka raportuar se fanella më e shitur te Real Madridi për edicionin e ri, është e Modriqit që ka lënë prapa dukshëm të tjerët.

Ronaldo para disa ditësh u largua nga Real Madridi për t'iu bashkuar Juventusit. Portugezi për nëntë vjet ka qenë idhulli më i madh i ekipit spanjoll, transmeton “Koha Ditore”. Ai edhe pse ende nuk i është bashkuar Juventusit në fazën përgatitore, tashmë është shndërruar në idhull të tifozëve italianë.

Për 24 orët e para pas njoftimit për transferimin e tij, Juventusi ka shitur 520 mijë fanella të Ronaldos.

Sa i përket numrit të fanellave të Modriqit, klubi madrilen nuk ka dhënë asnjë shifër, por ka konfirmuar se fanella e kroatit mbetet më e pëlqyera tash për tash. Modriq u shpall lojtari më i mirë i botërorit “Rusia 2018”, duke fituar “Topin e Artë”, pasi udhëhoqi Kroacinë deri në finale ku u mposht nga Franca (4:2).

“Tifozët po e preferojnë një emër. Fanella e Luka Modriqit mbetet më e shitura për edicionin 2018/19, duke lënë prapa fanellat e lojtarëve si Marcelo, Gareth Bale, Karim Benzema, Sergio Ramos e Toni Kroos”, raportoi “AS” të dielën. “Prej se Ronaldo është prezantuar te Juventusi, përfundimisht ylli i ekipit më të madh në Evropë është Luka Modriq” ... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)