Ferizaj mbetet pa stadium shkaku i mungesës së buxhetit

Ferizaj mbetet pa stadium shkaku i mungesës së buxhetit

20 korrik 2018 15:25

Komuna e Ferizajt ka njoftuar se ndërtimi i stadiumit të ri në hapësirën e stadiumit që po rinovohet “Ismet Shabani”, ka dështuar për shkak të mungesës së buxhetit nga Ministria e Sportit.

Sipas një njoftimi për media të Komunës së Ferizaj bëhet e ditur se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka njoftuar kryetarin aktual Agim Aliu se një memorandum i mëhershëm për realizimin e ndërtimit të stadiumit të qytetit nuk mund të zbatohet në praktikë në mungesë të buxhetit.

“Paraditen e sotme, ekzekutivi komunal ka pranuar një e-mail nga MRKS, gjegjësisht Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe Sekretari Përgjithshëm i MKRS-së, Veton Firzi përmes së cilës konfirmohet mosekzekutimi i Memorandumit të Bashkëpunimit me Komunën e Ferizajt për ndërtimin e Stadiumit të Qytetit”, thuhet në njoftimin për media.

Në letrën dërguar komunës së Ferizajt MKRS thotë se: “Ashtu siç ju kemi njoftuar nëpërmjet e-mailit zyrtar të bashkëngjitur të datës 21.09.2017 lidhur me anulimin e Memorandumit të Bashkëpunimit me Komunën e Ferizajt për ndërtimin e Stadiumit të Qytetit në Ferizaj me numër protokolli 1629/2017 të datës 27/04/2017, ju ri-njoftojmë prapë që Memorandumi nuk mund të ekzekutohet për të vetmen arsye pasi që nuk është buxheti në dispozicion”, thuhet në letrën e dërguar mediave.

Klubi i Ferizajt sezonin e kaluar bënte pjesë në garat e ligës së parë dhe të gjithë sezonin e ka zhvilluar në fushën me barin sintetik prapa palestrës “Bill Clinton”.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme