Sport

Lumi, mesfushori premtues i Kukësit

Pas tri vjetësh me gjeneratat e reja, mesfushori Betim Lumi nga Prizreni këtë verë është promovuar në ekipin e parë të Kukësit, pasi konsiderohet si e ardhme e ndritur e ekipit nga Kategoria Superiore e Shqipërisë.

Lumi 18-vjeçar, në edicionin e ri, pritet të dëshmoj vlerat e veta edhe në ekipin e parë, pasi tek gjeneratat e reja ishte ndër më të dalluarit. Ai së shpejti pritet të firmos kontratën e parë profesioniste me Kukësin, e cila do të jetë afatgjate. Përpara se të promovohet në ekipin e parë, Lumi ka luajtur me sukses tek gjeneratat e reja të Kukësit: U-17 e U-19, transmeton Koha.net.

I pari që ka vërejtur talentin e Lumit dhe e ka ftuar në përgatitjet me ekipin e parë, ishte trajneri i njohur nga Austria, Peter Pacult që ka mbetur I impresionuar me aftësitë e kosovarit që i ka treguar gjatë përgatitjeve në Slloveni.

Pacult ditë më pare është larguar nga ekipi dhe është zëvendësuar me Armando Cungun. Kukësi si nënkampion i Shqipërisë po merr pjesë në raundet eliminatore të Ligës së Kampionëve.

"Paraqitjet e mira që i kam patur me ekipin e të rinjëve kanë bindur drejtuesit e klubit për të më ofruar në ekipin e parë. Jemi në fazën finale të negociatave me klubin për firmosjen e kontratës së parë profesioniste dhe gjithçka shumë shpejt do të zyrtarizohet", është shprehur Lumi për "Koha.net".

"Jam shumë i lumtur që jam pjesë e ekipit të parë të Kukësit dhe në edicionin e ri pres të tregoj vlerat e mia për t'ua shpërblyer besimin që kanë patur në mua".

Lumi përpara se t'i bashkohet të rinjëve të Kukësit, ka patur përvoja në disa skuadra të Evropës, si Itali dhe Turqi. Ai në vitin 2014 ishte pjesë e të rinjëve të Udineses, ekip që bën gara në Serie A dhe është paraqitur në një turne të mbajtur në Pordenone. Pas Udineses, Lumi ka qenë pjesë e të rinjëve te ekipi nga Izmiri i Turqisë, Altinordu në vitin 2015.

"Kam luajtur te Udinese në vitin 2014 dhe Altinordu një vit më vonë përpara se të transferohem te Kukësi ku jam aktivizuar me gjeneratat e reja, fillimisht me U17 dhe pastaj U19", ka zbuluar Lumi që ka synime të mëdha për të ardhmen. "Fillimisht jam i vendosur për të punuar shumë dhe për të dhënë më të mirën nga vetja te ekipi i parë i Kukësit dhe pastaj në të ardhmen ëndërroj për të bërë karrierë në ndonjë ekip të Evropës".

Së fundi, Lumi është ftuar edhe nga përzgjedhësi i Përfaqësueses U-19 të Kosovës, Ramiz Krasniqi për ndeshjet eliminatore që kjo gjeneratë do t'i luaj gjatë muajit tetor.