Sport

Përveç humbjes Interi mbetet edhe pa Nainggolanin

Pas fitores 3-0 në miqësoren e parë ndaj Luganos, Interi i Luciano Spallettit mori një “shuplakë” në testin e dytë përgatitor për sezonin e ri.

Zikaltrit u mposhtën këtë herë nga një tjetër skuadër e Superligës zvicerane pikërisht Sioni ku luan edhe futbollisti i kombëtares shqiptare Ermir Lenjani i cili u aktivizua në fillimin e pjesës së dytë. Përfundoi me shifrat 2-0 në favor të vendasve të Sionit të cilët iu falën golave të dy brazilianëve qendërmbrojtësit Neitzke pas një daljeje të gabuar të portierit të Interit, Padelli në pjesën e parë dhe finalizimit të fantazistit Baltazar në pjesën e dytë.

Një paraqitje e dobët e Interit që krijoi shumë pak për të mos thënë aspak duke e vënë në vështirësi portierin kundërshtar vetëm me disa goditje nga distanca, vendasit nga ana tjetër goditën edhe një shtyllë në pjesën e parë, ndërsa Padelli bëri disa ndërhyrje shpëtimtare pavarësisht gabimit në rastin e golit të parë, transmeton SS.

Luajti në 30 minutat e fundit edhe kapiteni i Interit, Mauro Icardi i cili nuk la shenjë ndërkohë që zikaltrit morën një goditje të rëndë që në fillim pasi mesfushori belg Radja Nainggolan la fushën pas 23 minutash lojë për shkak të një problemi muskulor.