Sport

Kloppi tregon pse Shaqiri është “përforcimi perfekt”

Jurgen Klopp ka mirëpritur transferimin e Xherdan Shaqirit te Liverpooli duke e cilësuar atë si një lojtar që i është bashkuar klubit nga Anfield Road në momentin e duhur.

“Të Kuqtë” sot transferuan yllin shqiptar nga Stoke City, transmeton Koha.net.

“Mendoj se fraza më e mirë për ta shpjeguar vendimin për ta transferuar Xherdanin është ‘pa kokëqarje’. Kur një lojtar si ai është në dispozicion në këtë mënyrë atëherë duhet të reagoni mençur, dhe e bëmë”, është shprehur Kloppi për faqen zyrtare të klubit.

Shaqiri i bashkohet me Liverpoolit tashmë me në përvojë të madhe mbi supe, pasi tre vitet e fundit ishte pjesë e Stoke Cityt në Premier Ligë ku shënoi 30 gola-asiste në 84 paraqitje, përderisa ka mbrojtur ngjyrat edhe të Interit, Bayernit, dhe Baselit.

Kloppi më tutje shprehet se, “ai ka shpejtësinë dhe aftësinë, arrogancën e duhur në fushë, trimëri të vërtetë për ta pasur topin dhe ka ndikim në lojë”.

“Ne jemi lëvizja perfekte për të në këto momente mendoj, sepse ai ka nevojë ta shtyjë dhe ta sfidojë veten dhe mjedisi ynë e inkurajon këtë. Duam që ai të shpreh veten por gjithashtu edhe të mësojë dhe të përmirësojë disa pjesë të lojës së tij aty ku mund të bëjë progres”, shprehet Klopp.

Kloppi vlerëson lartë edhe fleksibilitetin e tij në fushë.

“Nga perspektiva jonë ai është dikush që bën diferencë të madh në skuadër dhe ekip, sepse mund të luajë në aq shumë pozicione të sistemit tonë. Ai na jep fleksibilitet të lartë se si mund të shfrytojmë edhe lojtarët që tashmë i kemi, kjo është fantastike. E njoh atë shumë mirë nga koha e tij në Zvicër, dhe veçanërisht në Gjermani, qe një kohë të gjatë jam admirues i tij. Por, bonusi aktual i tij është se ai e njeh Premier Ligën dhe e di se çfarë duhet për të performuar në një mjedis unik kaq intensiv. Ai gjithashtu luajti shumë mirë në Kupën e Botës, prandaj ai vjen te ne me një vetëbesim të plotë”, thotë trajneri gjerman.

Kloppi beson se Shaqiri do të përshtatet jashtëzakonisht mirë te Liverpooli.

“Në fund, besoj se Xherdani është një person që do të përshtatet perfekt te Liverpooli. Ai ka personalitet dhe lëvizshmëri, ai është dikush që do të ushqejë emocionet pozitive të fansave tonë. Ai i bashkohet një grupi të djelmoshave shumë të mirë dhe e di se ata do ta mirëpresin me duar të hapura dhe do ta ndihmojnë të vendoset dhe integrohet shpejtë”, ka thënë Klopp.