Sport

Juventusi bën ofertë për James Rodriguezin

Juventusi planifikon të ardhmen dhe në qendër të objektivave bardhezi mbetet një prej emrave kryesor të futbollit botëror, kolumbiani i Real Madrid, James Rodriguez.

Zërat e merkatos zbulojnë se “Zonja e Vjetër” ka trokitur në derën e skuadrës Los Blancos me një ofertë konkrete për të djegur në kohë konkurrencën e Barcelonës dhe Manchester Unitedit.

Në Spanjë janë të sigurt se klubi torinez kanë bërë hapin e madh për të bindur presidentin Florentino Perez por për momentin nuk ka detaje. Juventusi mendohet se ka vendosur në pjatën e ofertës edhe një pagë të majme për lojtarin, i cili do të thotë fjalën e fundit për destinacionin e tij të ardhshëm, pasi aventura e tij në Madrid duket se është drejt fundit, transmeton Supersport.

Tre vjet më parë, kolumbiani u ble nga Reali i Madridit për 80 milionë euro por nuk ka arritur ta justifikojë për asnjë moment këtë shumë. Gjithsesi, klubi spanjoll nuk synon ta falë dhe kërkon të arkëtojë sa më shumë nga shitja e mundshme e James. Gjatë këtij sezoni, lojtari nuk ka gjetur shumë hapësira në Spanjë.

Zidane preferon Izcon dhe kolumbiani ka nisur të studiojë ofertat. Gjithsesi, një konkurrent i fortë në këtë garë është edhe Barcelona që mund ta bindë Realin vetëm nëse arrin tek një ofertë marramendëse, por kjo mbetet një pistë e vështirë për momentin pasi Perez nuk synon të forcojë një rival direkt.