Sport

Vihet gurëthemeli i Qendrës së Mjekësisë Sportive

Në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është vënë gurthemeli i Qendrës së Mjekësisë Sportive dhe Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim për të cilën Kosova ka pasur nevojë shumë vite më parë, pasi për një lëndim të vogël sportistët janë detyruar t’iu drejtohen spitaleve private.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli u zotua se do të ofrojë mbështetje buxhetore për këtë projekt me qëllim që të finalizohet me kohë.

“Sportistët tanë përveç kontrolleve që duhet t’i bëjnë periodike, po ashtu edhe në rast të themi se lëndimet është pjesë e pandashme e sportit, ta kenë një qendër ku mund të trajtohen dhe kjo për ne është më e pakta që mund të bëjmë për një kategori e cila çdo ditë e më shumë na bënë krenar. Shpresoj që nuk keni me pas shumë nevojë për qendrën në aspekt të lëndimeve, por në aspekt të analizave”, u shpreh Ismajli.

Kampionia olimpike e Kosovës, Majlinda Kelmendi, e cila edhe vuri gurthemelin së bashku me ministrin Ismajli, tha se Kosova ka pasur nevojë për një qendër të tillë shumë vite më parë, pasi për një lëndim të vogël janë dashur t’u drejtohen spitaleve private, transmeton kp.

“Sportistët nuk e dinë asnjëherë se kur kanë me u lënduar ose si kanë me u lënduar, kështu që kjo është diçka për të cilën ne kemi nevojë. Është shumë mirë kur e dinë që bënë sport dhe në rast se lëndohesh ke ku të drejtohesh dhe ka kush të përkujdeset për ty. Shpresoj shumë që ky projekt do të përfundojë sa më shpejt dhe do t’iu shërbejë sportistëve”, tha Kelmendi.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani ka kërkuar që punimet për Qendrën e Mjekësisë Sportive të përshpejtohen me qëllim që të jenë sa më parë në shërbim të sportistëve.

“Sot është një ditë e veçantë për komuniteti e sportit, por jo vetëm komunitetin e sportit, sepse u vunë themelet e Qendrës Kombëtare për Mjekësinë Sportive, diçka që i ka munguar sportit në Kosovë dhe konsideroj se sportistët duhen të vijnë dhe t’i bëjnë analizat, në mënyrë që në fazën e mëhershme të ketë më pak lëndime, ndërsa kur lëndohen të ketë një qendër ku do të trajtohen në mënyrën e duhur”, tha ai.

I pranishëm në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Qendrës së Mjekësisë Sportive dhe Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim ishte edhe trajneri i Majlinda Kelmendit, Driton Kukaj i cili tha se është shumë e rëndësishme kur sportistët për shëndetin e tyre marrin edhe përkrahjen shtetërore.

“Trajneri punën më të vështirë e ka kur ka sportistë të lënduar, prandaj definitivisht është ditë e madhe për sportin që sportistët ta kenë një mbështetje shtetërore për shëndetin e tyre, është shumë me rëndësi. Faleminderit, shpresoj që kjo të kryhet shpejt, sepse këto projektet nga pak po dinë me na marr kohë edhe më shumë se që duhet, prandaj edhe kemi ardhur këtu të gjithë sportistët duke u përgatitur për një garë të gjithë që ta përkrahim këtë projekt”, tha ai.

Pjesëmarrës ishin edhe sportistë që do të marrin pjesë në lojërat mesdhetare Tarragona 2018.