SOT

Ditari digjital, nxit rezultate më të mira te nxënësit

Zhvillimi i teknologjisë solli edhe ditarin digjital në shkolla, duke e lënë anash atë fizik tradicional.

Në Komunën e Prishtinës pothuajse të gjitha shkollat tani veçse kanë filluar që gjithë punën rutinore dhe vlerësimin e nxënësve ta kryejnë përmes ditarit digjital.

E-shkollori është aplikacioni në të cilën janë gjitha detajet e secilit nxënës, e përparësia e të cilit është se edhe prindërit po ashtu mund të kenë qasje në të dhënat e fëmijëve të tyre.

Drejtori thotë se për mësuesit në moshë më të shtyrë ditari digjital nuk ka qenë shumë i lehtë për ta përdorur.

E mësimdhënësja e ciklit të ulët klasor, Naxhije Fejzullahu, thotë se jo të gjithë prindërit e përdorin e-shkollorin, e kjo vazhdon të jetë problem pasi që ende plotësisht nuk është funksional.

Sipas saj, prindërit duhet ta praktikojnë më shpesh e-shkollorin, sepse përparësia e saj mund të jetë nxitja e nxënësve për të arritur rezultate më të mira në mësime.

E 9-vjeçarja, Rrushe Bajrami thotë se e ëma e saj ka qasje në e-shkollorin, e gjithnjë është në dijeni për çfarëdo vlerësimi që merr vajza e saj.

Përderisa në Komunën e Prishtinës e-shkollori ka filluar zbatimin, komunat e tjera ende nuk kanë arritur ta fusin në funksion. Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, thotë se mësimdhënësit kanë ndjekur trajnimet për përdorimin e saj, mirëpo mungesa e internetit ka pamundësuar që shkollat të nisin me këtë aplikacion.

E-shkollori apo ditari digjital është një aplikacion përmes të cilit vlerësohen të gjithë nxënësit për secilën lëndë që ata ndjekin, e po ashtu edhe detajet e tjera të prezencës së tyre fizike në klasë apo edhe vërejtjet që mund të marrin, e çdo herë kur në të ka ndryshime nga mësimdhënësi, secili prind i cili ka qasje merr informatën për përditësimet e fundit në lidhje me fëmijën e tij.