SOT

Historiani me ligjërata për trashëgiminë nëpër shkolla

Kushdo që viziton Muzeun e Ferizajt, patjetër se do të takohet edhe me Ilir Bytyqin, historianin i cili ka vite të tëra që kujdeset për këtë hapësirë dhe njëkohësisht ofron njohuri për të gjitha eksponatet që gjenden aty.

E Iliri pos punës së zakonshme në muze, tashmë ka marrë edhe një detyrë përsipër të cilën po e kryen krejtësisht në baza vullnetare.

Për çdo ditë pune, ai zgjedh një shkollë në të cilën për 1 orë do të jetë përpara nxënësve të cilëve po u ligjëron për trashëgiminë kulturore në trevën e Ferizajt.

Muzeu vizualisht deri më tani është dërguar në shumë shkolla fillore të Ferizajt, nga ku udhëheqësit e tyre kanë qenë shumë entuziastë për aktivitetin të cilën Iliri po e realizon.

Iliri thotë se kjo mënyrë u lehtëson nxënësve të kuptojnë më tej për trashëgiminë e që më pas edhe vizita e tyre nuk mungon në muze.

E mësimdhënësja e historisë në shkollën “4 prilli” në fshatin Zllatar të Ferizajt, Adifete Bytyqi, thotë se nxënësit përmes ligjëratës kanë shprehur edhe më tej interesimin për të mësuar për trashëgiminë dhe për t’i vizituar ato vende.

Nxënësja e klasës së 7-të, Elma Ademi, pati rastin të mësojë nga Iliri për trashëgiminë përderisa tregon se shumë nga këto objekte që sot pati mundësinë t’i shohë i ka vizituar deri më tani, porse kjo ligjëratë i ofroi edhe më shumë objekte të cilat së shpejti thotë se do të shkojë dhe t’i shohë nga afër.

E Ylli Karaliti tregon se përmes Ilirit kuptoi që në fshatin e tij po ashtu ka artefakte që për to nuk kishte dëgjuar më parë.

Vizitat e Ilirit nëpër shkollat e Ferizajt do të vazhdojnë dhe synimi i tij është që nxënësit dhe gjeneratat e reja të kenë sa më shumë njohuri për trashëgiminë e vendit.